LSDM e pyet kryeministrin: A është Ratko Mlladiq gjeneral edhe i Mickoskit?
Partia opozitare kërkon përgjigje nga kryeministri Hristijan Mickoski për shkak të deklaratave të ministrit Ivan Stoilkoviq. Nga LSDM-ja theksojnë se glorifikimi i kriminelëve të dënuar të luftës është i papranueshëm për një shtet që synon ...
Partia opozitare kërkon përgjigje nga kryeministri Hristijan Mickoski për shkak të deklaratave të ministrit Ivan Stoilkoviq. Nga LSDM-ja theksojnë se glorifikimi i kriminelëve të dënuar të luftës është i papranueshëm për një shtet që synon vlerat evropiane dhe kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm të ministrit, nëse kryeministri nuk distancohet nga qëndrimet e tij.
Shkup – Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka reaguar ashpër përmes një komunikate, në të cilën e pyet drejtpërdrejt kryeministrin Hristijan Mickoski nëse qëndrimet e ministrit të tij Ivan Stoilkoviq janë njëkohësisht edhe qëndrime zyrtare të Qeverisë.
Shkak për reagimin janë deklaratat me të cilat ministri e ka quajtur Ratko Mlladiqin – person të dënuar përfundimisht për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – me fjalët “gjenerali im”.
“A pajtohet Mickoski me ministrin e tij Ivan Stoilkoviq, i cili Ratko Mlladiqin e quan ‘gjenerali im’? A është ky qëndrim i Qeverisë së Mickoskit?”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
Nga partia theksojnë se Stoilkoviqi është pjesë e pushtetit ekzekutiv në shtet, që do të thotë se deklaratat dhe qëndrimet e tij publike kanë peshë institucionale dhe kërkojnë përgjigje të drejtpërdrejtë nga kreu i Qeverisë.
LSDM-ja i bën thirrje kryeministrit Mickoski se ka një detyrim të qartë për të marrë përgjegjësi:
“Nëse Mickoski nuk pajtohet me Stoilkoviqin, atëherë le ta dënojë qëndrimin e tij dhe ta shkarkojë.”
Në të njëjtën kohë, në reagim rikujtohet se Maqedonia e Veriut ka detyrim strategjik të mbrojë vlerat evropiane dhe demokratike, duke shtuar se është skandaloze që në koalicionin qeveritar të ketë ministra të cilët hapur glorifikojnë kriminelë të dënuar të luftës.
“Mickoski të mos fshihet pas heshtjes. Le të përgjigjet: A është Ratko Mlladiqi edhe gjenerali i tij?”, thuhet në fund të reagimit të LSDM-së.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.