LSDM kërkon raportin për ujin në Gostivar
LSDM akuzon pushtetin se, më shumë se pesë javë pas krizës shëndetësore në Gostivar, ende nuk ka asnjë përgjegjës për rastin e ujit të ndotur dhe rreth 5 mijë qytetarëve të hospitalizuar. Nga partia kërkojnë që Prokuroria të hetojë kallëzim...
LSDM akuzon pushtetin se, më shumë se pesë javë pas krizës shëndetësore në Gostivar, ende nuk ka asnjë përgjegjës për rastin e ujit të ndotur dhe rreth 5 mijë qytetarëve të hospitalizuar. Nga partia kërkojnë që Prokuroria të hetojë kallëzimet penale të paraqitura dhe të përcaktojë përgjegjësinë e zyrtarëve, duke ngritur pikëpyetje edhe për deklaratat kontradiktore rreth sigurisë së ujit.
“Kërkojmë që Prokuroria urgjentisht të veprojë lidhur me kallëzimet penale të paraqitura nga LSDM-ja. Veprim urgjent nga prokurori Savevski, nëse është kthyer nga ekskursioni, për të përcaktuar se kush dhe mbi bazën e cilave analiza ka nënshkruar sot se uji është i sigurt. LSDM-ja nuk do të lejojë që këto raste të futen në sirtar. Për helmimin në Gostivar duhet të ketë përgjegjësi”, theksoi Keti Shterjova, LSDM.
LSDM kërkon po ashtu edhe publikimin e analizave zyrtare të ujit dhe thotë se për rastin duhet të ketë përgjegjësi politike dhe penale.
Nga VMRO-DPMNE u kundërpërgjigjën, duke akuzon LSDM-në se po përhap gënjeshtra dhe panik te qytetarët, duke thënë se uji në Gostivar është i sigurt. Ironizuan me kryetarin e LSDM-së, Venko Filipçe, duke thënë se i ka rënë dielli në kokë në Egje, andaj bën mirë të kthehet pasi partia është “çorientuar” dhe ndodhet në kaos.
“Së pari, fakt është se uji është i sigurt për t’u pirë në Gostivar. Të gjitha institucionet kompetente, brenda afatit përkatës, i kanë bërë të gjitha kontrollet e nevojshme dhe dje u tregua se uji tashmë është i sigurt për t’u pirë. Por, LSDM-ja edhe pas këtij lajmi filloi të flasë kot, të kërkojë dokumente”, tha Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
Për këtë çështje u pyet edhe kryeministri Mickoski, i cili tha se përgjegjësia për funksionimin e sistemit të furnizimit me ujë në Gostivar është në kompetencë të ndërmarrjes publike lokale, drejtuesin e së cilës e emëron kryetari i komunës, duke shtuar se kryetari aktual i Gostivarit ishte mbështetur nga LSDM-ja, andaj kjo e fundit nuk kërkon përgjegjësi prej kryetarit të Gostivarit.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.