LSDM kërkon rikthimin e ligjit për shtetësinë e dyfishtë në Kuvend: Të vlejë për të gjithë zyrtarët
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka deklaruar se mbështet iniciativën e PLD-së për kufizimin e shtetësisë së dyfishtë për zyrtarët dhe kërkon që projektligji i propozuar më herët nga kjo parti të rikthehet në procedurë parlamentar...
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka deklaruar se mbështet iniciativën e PLD-së për kufizimin e shtetësisë së dyfishtë për zyrtarët dhe kërkon që projektligji i propozuar më herët nga kjo parti të rikthehet në procedurë parlamentare.
Nga LSDM thonë se ligji duhet të zbatohet pa përjashtime, përfshirë deputetët e përbërjes aktuale të Kuvendit, ministrat, zyrtarët qeveritarë dhe drejtorët e ndërmarrjeve publike.
“LSDM tashmë ka paraqitur një projektligj për shtetësinë e dyfishtë. Ai duhet të vlejë edhe për deputetët e kësaj përbërjeje, për ministrat, zyrtarët qeveritarë dhe drejtorët e ndërmarrjeve publike. Ligji duhet të vlejë për të gjithë. Le të kthehet ligji në Kuvend”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Nga kjo parti theksojnë se, ndërsa po zhvilloheshin festimet për 35-vjetorin e pavarësisë së vendit, Ligji për Kufizimin e Shtetësisë së Dyfishtë të Zyrtarëve ka mbetur i bllokuar.
LSDM rikujton se më herët kishte propozuar një zgjidhje që, sipas tyre, duhet të zbatohet për deputetët e përbërjes aktuale, ministrat dhe të gjithë zyrtarët qeveritarë, drejtorët e ndërmarrjeve publike, si dhe për të gjithë bartësit e funksioneve publike, pa përjashtime.
“Nuk ka vend për standarde të dyfishta. Nuk ka vend për heshtje ndaj atyre që vetë e propozuan ligjin dhe tani po e shmangin atë. Nuk ka vend për zyrtarë që marrin pagë nga shteti, ndërsa besnikëria e tyre është e ndarë”, thuhet më tej në reagimin e LSDM-së.
Partia opozitare kërkon që iniciativa e PLD-së të shqyrtohet menjëherë në Kuvend dhe ligji të miratohet pa vonesa dhe pa kompromis.
Në reagimin e saj, LSDM përdor gjithashtu tone të ashpra ndaj disa zyrtarëve dhe figurave publike, duke pretenduar se kufizimi i shtetësisë së dyfishtë duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë dhe se besnikëria ndaj shtetit duhet të jetë e padiskutueshme.
“Pavarësia e vërtetë dhe patriotizmi i vërtetë dëshmohen me besnikëri ndaj një shteti – Maqedonisë”, thuhet në njoftimin e LSDM-së.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.