Sipas LSDM-së, pushteti ka penguar zhvillimin e seancës për pyetjet e deputetëve të opozitës, përmes kërkesave të njëpasnjëshme për pauza dhe, siç pretendon partia, shkeljes së Rregullores së Kuvendit.
Nga LSDM-ja thonë se opozita dhe deputeti i ZNAM-it kërkuan pauza nga një orë, ndërsa kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, vendosi që koha e pauzave të llogaritej brenda dy orëve të parapara për pyetjet parlamentare.
Si pasojë, sipas partisë, koha për pyetje u shpenzua pa u parashtruar asnjë pyetje nga deputetët.
LSDM-ja pretendon se pushteti po shmang përballjen me pyetjet e opozitës dhe e lidh këtë situatë me debatin e fundit mbikëqyrës për çështjen e Alta Bankës.
Partia përsëriti akuzat ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski dhe kryetarit të Këshillit të Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, lidhur me veprimtarinë e bankës dhe hyrjen e saj në tregun maqedonas.
„Nuk ka ikje nga e vërteta. Ajo do të dalë në sipërfaqe dhe më pas do të ketë edhe përgjegjësi“, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




