LSDM: Mickoski po hesht për Stoilkoviqin, ndërsa tensionet po kthehen në politikë

Opozita kërkon shkarkimin e ministrit Ivan Stoilkoviq dhe akuzon qeverinë për tolerim të glorifikimit të kriminelëve të luftës dhe për krijimin e tensioneve etnike. LSDM-ja e ka ashpërsuar përplasjen me qeverinë, duke e vënë në shënjestë...

gusht 31, 2026 - 19:00
LSDM: Mickoski po hesht për Stoilkoviqin, ndërsa tensionet po kthehen në politikë

Opozita kërkon shkarkimin e ministrit Ivan Stoilkoviq dhe akuzon qeverinë për tolerim të glorifikimit të kriminelëve të luftës dhe për krijimin e tensioneve etnike.

LSDM-ja e ka ashpërsuar përplasjen me qeverinë, duke e vënë në shënjestër kryeministrin Hristijan Mickoski pas deklarimeve dhe veprimeve të ministrit Ivan Stoilkoviq, të cilat opozita i lidh me glorifikimin e të dënuarit për krime lufte Ratko Mladiq.

Në një kumtesë, LSDM-ja thotë se Mickoski po hesht me vetëdije dhe po shmang kërkimin e përgjegjësisë politike ndaj ministrit të tij. Sipas opozitës, personat që relativizojnë krimet e luftës apo glorifikojnë të dënuarit për krime të tilla nuk duhet të mbajnë poste publike.

LSDM-ja shkon edhe më tej, duke pretenduar se në rastin konkret mund të ketë elemente të veprës penale që lidhen me miratimin ose arsyetimin e gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit.

Opozita i drejton Mickoskit pyetje të drejtpërdrejta:

“A pajtohet me qëndrimet e ministrit të tij Ivan Stoilkoviq? A është Ratko Mladiq edhe ‘gjenerali’ i tij? Nëse nuk pajtohet, atëherë le t’i dënojë këto qëndrime dhe t’i shkarkojë Stoilkoviqin dhe Kitanoviqin.”

Në të njëjtën kumtesë, LSDM-ja e zgjeron akuzën përtej rastit Stoilkoviq, duke pretenduar se provokimet dhe përplasjet ndëretnike janë pjesë e një strategjie më të gjerë që opozita e quan “Përroska” ose “Fundërrina”.

Sipas LSDM-së, kjo strategji synon të krijojë tensione, ndarje etnike dhe destabilizim politik, ndërsa partia pretendon se ajo zbatohet me ndikim nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë kontekst, opozita përmend edhe fushatat publike të Dragan Pavlloviq–Latas, si dhe atë që e cilëson si hyrje të “makinerisë mediatike serbe” përmes mediave si Euronews dhe Alo.

LSDM-ja e përfundon reagimin me një akuzë të drejtpërdrejtë politike ndaj kryeministrit dhe qeverisë së tij, duke pretenduar se zhvillimet e fundit nuk janë të izoluara, por pjesë e një kursi politik.

“Asgjë nuk është rastësi. Kjo është politikë e vetëdijshme e Mickoskit dhe grupit të tij – ta mbajnë Maqedoninë larg BE-së, në izolim, dhe më afër forcave autoritare dhe ndikimeve lindore”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

The post LSDM: Mickoski po hesht për Stoilkoviqin, ndërsa tensionet po kthehen në politikë appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.