Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka akuzuar se paditë penale ndaj kryetarit të partisë, Venko Filipçe, dhe tre funksionarëve të tjerë të saj përbëjnë përpjekje për presion ndaj opozitës, për shkak të kritikave të vazhdueshme lidhur me veprimtarinë e “Alta Bankës”.
Në komunikatën e saj, partia opozitare bën të ditur se paditë kanë të bëjnë me Filipçen, Aleksandar Sashа Dimitrijeviqin, Andrej Zhernovskin dhe Aleksandar Trajanovskin. Njëkohësisht, LSDM akuzon guvernatorin e Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, se i ka paraqitur ato nën presionin politik të kryeministrit Hristijan Mickoski.
Sipas LSDM-së, qëllimi i këtyre veprimeve është heshtja e opozitës, pas paralajmërimeve të saj disamujore për veprimtarinë e “Alta Bankës” dhe rrethanat në të cilat kjo bankë hyri në tregun maqedonas.
Partia përsëriti edhe akuzat për lidhje të bankës me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe për hetime të pretenduara në Serbi. Në komunikatë përmenden gjithashtu informacione për falimentim, revokim të licencës dhe arrestimin e bankierit Davor Macura, por LSDM nuk ka paraqitur dokumentacion shtesë për t’i mbështetur këto pretendime.
Nga kjo parti akuzuan Mickoskin se gjatë seancës së djeshme mbikëqyrëse në Kuvend kishte paraqitur të pavërteta lidhur me atë se kush e solli “Alta Bankën” në vend.
LSDM paralajmëroi se do të vazhdojë të kërkojë përgjigje për veprimtarinë e bankës dhe përgjegjësinë e institucioneve kompetente.
Në fund, partia i bëri thirrje prokurorit publik, Saveski, që të mos përfshihet në atë që LSDM e cilëson si procedurë me motive politike. Flaka
The post LSDM: Paditë penale ndaj Filipçes dhe tre funksionarëve janë presion politik ndaj opozitës për shkak të rastit “Alta Banka” appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




