LSDM: Vuçiqi paralajmëroi zgjedhje, menjëherë edhe Mickoski – zgjedhje do të caktojë kur të mbarojnë paratë
LSDM ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski për zgjedhjet e parakohshme, duke e akuzuar atë se po e përdor çështjen e zgjedhjeve për interesa politike. “Hristijan Mickoski sërish i ka futur zgjedhjet në agjendë. Fil...
LSDM ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski për zgjedhjet e parakohshme, duke e akuzuar atë se po e përdor çështjen e zgjedhjeve për interesa politike.
“Hristijan Mickoski sërish i ka futur zgjedhjet në agjendë. Fillimisht tha se qytetarët nuk duan zgjedhje të parakohshme. Më pas tha se, nëse opozita kërkon, nuk do të sillet si frikacak, do t’i pranojë dhe do të fitojë. Ky nuk është qëndrim. Është montazh. Vetë e shkruan ofertën, vetë pret porosinë. Vuçiqi paralajmëroi zgjedhje. Menjëherë edhe Mickoski. Kjo nuk është rastësi. Tashmë vepron sipas urdhrit. Prandaj tashmë e di se kur do të mbahen zgjedhjet. Vetëm se ende nuk na ka njoftuar”, deklaruan nga LSDM.
Nga partia opozitare thonë se Mickoski “po tërheq artileri të rëndë mediatike nga Serbia për t’i forcuar 40 përqindëshit e Orbanit”, duke pretenduar se qëllimi është krijimi i një “errësire të plotë mediatike”.
Sipas LSDM-së, qytetarët nuk duhet të informohen për problemet ekonomike dhe për çështje të tjera që, sipas tyre, shqetësojnë vendin, ndërsa opozita po etiketohet si “vrasëse”.
“Ka pushtet absolut. Ka shumicë prej dy të tretash. Ka presidente, qeveri, Kuvend dhe shumicë në numrin më të madh të komunave. Zgjedhjet i cakton ai, kur të dojë. Nuk i duhet as pëlqimi ynë, as guximi i dikujt tjetër. I duhet alibi”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Nga kjo parti pretendojnë se zgjedhjet do të caktohen atëherë kur, sipas tyre, “të mbarojnë paratë”.
“LSDM nuk do t’ia japë atë alibi. Nuk kërkojmë zgjedhjet e tij për t’ia mbuluar falimentimin. Zgjedhjet do t’i caktojë kur të mbarojnë paratë. Ky është kalendari i tij, jo yni”, deklarojnë nga LSDM.
Në reagim përmendet edhe thirrja për shpërndarjen e Kuvendit dhe caktimin e datës së zgjedhjeve, të cilën LSDM e cilëson si një veprim të koordinuar.
Në fund, nga LSDM i bëjnë thirrje Mickoskit që, nëse dëshiron zgjedhje, t’i caktojë vetë dhe të dalë para qytetarëve me përgjegjësi për gjendjen ekonomike dhe politike në vend.
“Mickoski të mos fshihet pas frikacakëve, pas deklaratave të të tjerëve dhe pas vëllait nga Beogradi. Nëse do zgjedhje, le t’i caktojë. Vetë. Me nënshkrimin e tij. Dhe le të dalë para qytetarëve me buxhetin bosh, me ujin në Gostivar, me të vdekurit në Shkup, me 5.000 të helmuarit, me specin 40 denarë dhe me frigoriferin e portofolin që po zbrazen”, thuhet në reagimin e partisë.
LSDM gjithashtu vë në pikëpyetje deklaratat e pushtetit për sukseset ekonomike, duke kërkuar shpjegime për pretendimet se Maqedonia e Veriut është “ekonomia e tretë në Evropë”, se pagat janë rritur për 70 për qind dhe pensionet për 325 për qind, si dhe për çështje që lidhen me shtyllën e dytë pensionale, çmimin e naftës, plehrat bujqësore, turizmin dhe transportin ajror.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.