“Luftë” për vetura! Shteti shpenzon mbi 2.4 milionë euro për vetura të reja
Mbi 2.4 milionë euro nga buxheti i shtetit do të shpenzohen për furnizimin me vetura të institucioneve të Republikës së Kosovës. Agjencia Qendrore e Prokurimit ka publikuar njoftimin për nënshkrimin e kontratave, të cilat janë ndarë në pesë...


Mbi 2.4 milionë euro nga buxheti i shtetit do të shpenzohen për furnizimin me vetura të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Agjencia Qendrore e Prokurimit ka publikuar njoftimin për nënshkrimin e kontratave, të cilat janë ndarë në pesë lote dhe kapin vlerën e përgjithshme prej 2 milionë e 412 mijë e 414 eurosh.
Bëhet fjalë për një prokurim të përbashkët të udhëhequr nga Agjencia Qendrore e Prokurimit, ndërsa pagesa do të bëhet nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës, raporton ORAinfo.
Vlera e parashikuar fillimisht për kontratën ishte 2.676 milionë euro.
Kontratat për pesë lotet janë nënshkruar më 2 shtator 2026, pas një procedure të hapur të prokurimit.
Sipas njoftimit, për këtë aktivitet ishin pranuar gjithsej tetë tenderë për secilin lot, ndërsa numri i ofertave të konsideruara të përgjegjshme ka ndryshuar nga një lot në tjetrin.
Pjesa më e madhe e shumës është përqendruar në Lotin 2 – Modeli 2, ku kontrata me kompaninë Mercom Company SH.P.K. është nënshkruar në vlerë prej 1 milion e 266 mijë e 665 eurosh. Për këtë lot janë pranuar tetë oferta, prej të cilave shtatë janë vlerësuar si të përgjegjshme.
Në Lotin 3 – Modeli 3, kontrata me Auto Mita SH.P.K. kap vlerën prej 542 mijë e 829 eurosh. Për këtë pjesë të tenderit ishin pranuar tetë oferta, por vetëm një prej tyre është konsideruar e përgjegjshme.
E njëjta kompani ka fituar edhe Lotin 4 – Modeli 4, me kontratë në vlerë prej 278 mijë e 490 eurosh. Në këtë lot janë pranuar tetë oferta, ndërsa katër prej tyre janë vlerësuar si të përgjegjshme.
Ndërkaq, për Lotin 5 – Modeli 5, kontrata në vlerë prej 199 mijë e 900 eurosh është nënshkruar me PORSCHE KOSOVA SH.P.K. Edhe në këtë rast janë pranuar tetë oferta, por vetëm një është vlerësuar si e përgjegjshme.
Kontrata e parë, Loti 1 – Modeli 1, është nënshkruar me Auto Kaçandolli SH.P.K., në vlerë prej 124 mijë e 530 eurosh. Për këtë lot ishin pranuar tetë tenderë, ndërsa vetëm dy prej tyre ishin konsideruar të përgjegjshëm.
Miliona për vetura, nga buxheti i shtetit
Edhe pse procedura është zhvilluar përmes një tenderi të hapur, madhësia e shpenzimit ngre pikëpyetje për prioritetet e institucioneve publike.
Në total, mbi 2.4 milionë euro janë kontraktuar për furnizim me vetura, ndërsa kontrata është krijuar si kontratë publike kornizë me kohëzgjatje prej 12 muajsh.
Në fund, nuk bëhet fjalë për para të kompanive apo institucioneve – bëhet fjalë për mbi 2.4 milionë euro të parasë publike. /ORAinfo/
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.