LVV merr vendim: Nesër voton Çitakun dhe Shalën për nënkryetarë të Kuvendit
Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur sonte mbledhje të jashtëzakonshme, ku ka vendosur që në seancën e nesërme të votojë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë të Kuvendit, Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën. LVV thotë se ky hap ...
Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur sonte mbledhje të jashtëzakonshme, ku ka vendosur që në seancën e nesërme të votojë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë të Kuvendit, Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën.
LVV thotë se ky hap është bërë me qëllim të sigurimit të stabilitetit institucional dhe shmangies së zgjedhjeve të reja.
Nga PDK dhe LDK, LVV pret “konstruktivitet” pas konstituimit të Kuvendit, duke kërkuar që deputetët të marrin pjesë në votimin për presidentin e propozuar sipas marrëveshjes LVV-LDK.
Seanca konstituive pritet të vazhdojë nesër në orën 10:00.
Njoftimi i VV-së:
Kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka mbajtur sonte mbledhje të jashtëzakonshme.
U konstatua që ndodhemi në momentet vendimtare për t’i dhënë vendit stabilitet institucional pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe për të parandaluar edhe një palë zgjedhje të reja, të panevojshme për shtetin e qytetarët dhe të kushtueshme për buxhetin e të ardhmen. Zgjedhjet e parakohshme të përsëritura do të ishin të katërtat në më pak se dy vjet!
Vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për nesër në orën 10:00. Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm që të votojmë për nënkryetar kuvendi nga radhët e PDK-së dhe LDK-së dikë që nuk e bojkoton zgjedhjen e presidentit e asisoj na dërgon në përsëritje të zgjedhjeve.
Megjithëkëtë, kryesia e LVV mori vendim që nesër të votojmë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala. Presim që pas konstituimit të kuvendit ky hap i vullnetit të mirë të reflektojë në konstruktivitet të tyre duke votuar për president, qoftë ajo edhe votë kundër.
Në vitin 2025 ne si subjekt fitues me partnerët e koalicionit parazgjedhor dhe deputetë të pakicave i kishim 57 deputetë. Pra vetëm katër deputetë mangu, e duke e zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, plot katër herë e ndryshuam emrin e kandidatit tonë për kryetar kuvendi para se të zgjidhej Dimal Basha me 26 gusht, pesë muaj pas çertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Refuzimi i partive opozitare për Albulena Haxhiun asokohe u pasua edhe me refuzim të Donika Gërvallës, Hekuran Muratit e Arbërie Nagavcit.
E pra, ne kemi vendosur t’i votojmë Vlora Çitakun e Kujtim Shalën, edhe nëse nuk i ndërrojnë emrat e kandidatëve qysh bëmë ne.
Nesër në mëngjes deputetët e PDK-së porsa ta ripropozojnë Vlora Çitakun (e cila edhe ashtu i ka edhe dy mundësi), ne do ta votojmë.
Gjithashtu, shpresojmë që edhe deputeti Kujtim Shala, nënkryetar i ardhshëm i kuvendit, të marrë pjesë në seancën kur do të votohet për Bekim Sejdiun president sipas marrëveshjes LVV-LDK.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.