Manchester United përballë faturës së çmendur për Amorimin – Milani e ndryshoi gjithçka

Manchester United kishte parashikuar një pagesë prej 16.7 milionë paundësh për Ruben Amorim dhe stafin e tij pas shkarkimit, por kalimi i trajnerit te Milan i përgjysmoi kostot për klubin anglez. Ruben Amorim u shkarkua nga Manchester Unite...

shtator 24, 2026 - 00:30
Manchester United përballë faturës së çmendur për Amorimin – Milani e ndryshoi gjithçka

Manchester United kishte parashikuar një pagesë prej 16.7 milionë paundësh për Ruben Amorim dhe stafin e tij pas shkarkimit, por kalimi i trajnerit te Milan i përgjysmoi kostot për klubin anglez.

Ruben Amorim u shkarkua nga Manchester United sezonin e kaluar, vetëm 14 muaj pas marrjes së drejtimit të skuadrës. Trajneri portugez ishte emëruar në nëntor të vitit 2024, pasi kishte lënë Sporting CP, por aventura e tij në “Old Trafford” përfundoi pas një periudhe të vështirë.

Pas disa muajsh pushim, Amorim gjeti një tjetër aventurë në Itali, ku mori drejtimin e Milanit, transmeton ORAinfo.

Sipas të dhënave të publikuara në llogaritë financiare të Manchester United, klubi anglez ka regjistruar 8.2 milionë paund (rreth 9.5 milionë euro) në kategorinë e kostove të jashtëzakonshme, kryesisht për shkak të shkarkimit të Amorimit dhe stafit të tij.

Megjithatë, shuma fillestare që United rrezikonte të paguante ishte shumë më e lartë. Raportohet se dëmshpërblimi për Amorimin dhe bashkëpunëtorët e tij arrinte në 16.7 milionë paund (rreth 19.4 milionë euro).

Kontrata e trajnerit portugez, megjithatë, përmbante një klauzolë që parashikonte uljen e pagesës në rast se ai do të gjente një punë të re.

Dhe pikërisht këtu ndërhyri Milani.

“Rossonerët” vendosën t’i besonin Amorimit, duke bërë që Manchester United të mos ishte i detyruar të paguante shumën e plotë të kompensimit. Në fund, kostoja për klubin anglez u reduktua në 8.2 milionë paund.

Në këtë shumë përfshihen edhe pagesat për anëtarët e stafit të Amorimit, përkatësisht Carlos Fernandes, Adelio Candido, Emanuel Ferro dhe Jorge Vital.

Statistika negative te Manchester United

Sipas Manchester Evening News, Amorim regjistroi disa statistika tepër negative gjatë periudhës së tij në Premier League.

Ai kishte përqindjen më të ulët të fitoreve, 32%, raportin më të dobët të golave të pësuar për ndeshje, me 1.53 gola, si dhe përqindjen më të ulët të ndeshjeve pa pësuar gol, vetëm 15%, mes të gjithë trajnerëve në historinë e Manchester United.

Vetë Amorim ka reflektuar më vonë për periudhën e tij në Angli dhe ka pranuar se bëri gabime gjatë aventurës në “Old Trafford”.

“Kam mësuar shumë. Do të ishte e vështirë të tregoja vetëm një gjë, por ajo që e di qartë është se kam bërë shumë gabime. Kur reflekton dhe kupton se nuk ishte vetëm faji i tyre, por edhe i imi, mendoj se mund të bëhesh një trajner dhe një njeri më i mirë”, është shprehur portugezi.

Tashmë, Amorim po përpiqet t’i aplikojë këto mësime në aventurën e tij të re te Milani, ku ka treguar më shumë fleksibilitet taktik dhe ka bërë disa ndryshime në mënyrën e menaxhimit të skuadrës. /ORAinfo/


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.