Maqedonia synon të nisë stimulimin e thellë të trurit për pacientët me Parkinson në vitin 2027
Maqedonia po përgatitet të nisë trajtimin e pacientëve me Parkinson përmes stimulimit të thellë të trurit. Ndërhyrja e parë mund të realizohet gjatë vitit 2027, ndërsa për terapitë e reja kundër Alzheimerit ende duhet të përcaktohen kushtet...
Maqedonia po përgatitet të nisë trajtimin e pacientëve me Parkinson përmes stimulimit të thellë të trurit. Ndërhyrja e parë mund të realizohet gjatë vitit 2027, ndërsa për terapitë e reja kundër Alzheimerit ende duhet të përcaktohen kushtet e zbatimit.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, theksoi se trajtimet moderne duhet të jenë të sigurta, profesionale dhe të qëndrueshme, duke kërkuar përzgjedhje të kujdesshme të pacientëve, ekipe të trajnuara dhe monitorim afatgjatë.
Sipas tij, Maqedonia i ka kushtet kryesore për zbatimin e stimulimit të thellë të trurit, metodë që deri më tani pacientët maqedonas e kanë realizuar në Turqi. Në këtë proces pritet të ndihmojnë specialistët e Qendrës Klinike Universitare të Lubjanës, të cilët do të ndajnë përvojën e tyre me mjekët vendorë.
Drejtori i Klinikës së Neurologjisë, Jovan Bozhinovski, shprehu optimizëm se pacienti i parë do të trajtohet me këtë metodë në Maqedoni gjatë vitit 2027.
Në vend janë rreth 24 mijë persona me demencë, ndërsa rreth 8 mijë qytetarë jetojnë me sëmundjen e Parkinsonit. Vlerësimet tregojnë se numri i personave me demencë mund të trefishohet deri në vitin 2050.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.