Marrëveshje në Zyrën e Kurtit: Partitë shqiptare garojnë bashkë në zgjedhjet në Serbi
Përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë arritur marrëveshje për të garuar me listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar” në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi. Marrëveshja është arritu...


Përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë arritur marrëveshje për të garuar me listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar” në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi.
Marrëveshja është arritur të martën në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, pas takimit të përfaqësuesve politikë shqiptarë, ndërsa kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se partitë janë pajtuar për bashkëpunim dhe për një paraqitje të përbashkët në zgjedhje.
Zgjedhjet për deputetë të Kuvendit të Serbisë janë caktuar për 25 tetor 2026. Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi ka nisur tashmë certifikimin e listave zgjedhore për këto zgjedhje.
Kurti ka falënderuar drejtuesit e subjekteve politike shqiptare, Shaip Kamberin nga PVD-ja, Visar Memetin nga APN-ja, Nagip Arifin nga PD-ja, Agim Sabedinin nga PDSH-ja, Shqiprim Musliun nga LPD-ja, Sami Salihun nga LR-ja, Armend Aliun nga AL-ja dhe Naser Azirin nga UDSH-ja.
“Pas bisedave dhe përpjekjeve për t’i afruar qëndrimet, vullneti për bashkëpunim mori formën e një zotimi të përbashkët”, tha Kurti.
Në proces kanë marrë pjesë edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, si dhe përfaqësues nga Medvegja dhe Pazari i Ri.
Takimi i së martës vjen pas një takimi të mëhershëm që Kurti kishte zhvilluar më 15 shtator me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, ku ishte diskutuar pikërisht nevoja për koordinim politik dhe forcimin e përfaqësimit parlamentar të shqiptarëve në Serbi.
Kryeministri ka thënë se bashkimi në një listë të përbashkët nuk është i mjaftueshëm, duke ngritur edhe çështjen e përfaqësimit të garantuar të shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë.
Sipas tij, duke marrë parasysh se komunitetit serb në Kosovë i garantohen 10 nga 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës, shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej t’u garantoheshin së paku pesë vende në parlamentin 250-anëtarësh të Serbisë.
“Përfaqësimi i garantuar është një parim që duhet të vlejë si në Kosovë ashtu edhe në fqinjin tonë verior, me të njëjtin respekt për barazinë dhe të drejtat e tyre”, deklaroi Kurti.
Ai ka përmendur gjithashtu pasivizimin e adresave, përfaqësimin në institucionet publike, zhvillimin ekonomik, gjuhën, kulturën dhe simbolet si ndër çështjet kryesore me të cilat, sipas tij, përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës.
“Të drejtat dhe identiteti janë themele të këtij angazhimi që e shoqërojnë përditshmërinë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë mbështetjen për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
“Republika e Kosovës do të vazhdojë t’u qëndrojë pranë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, për të drejtat, identitetin dhe mirëqenien e tyre”, përfundoi Kurti.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.