Marta Kos: Ndryshimet kushtetuese, kushti për vazhdimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut

Komisionerja evropiane për Zgjerim kërkon nga Qeveria përmbushjen e obligimit për ndryshimet kushtetuese, duke theksuar se pas miratimit të tyre procesi mund të vazhdojë pa vendime të tjera politike. Ndryshimet kushtetuese janë hapi që M...

tetor 24, 2026 - 11:00
Marta Kos: Ndryshimet kushtetuese, kushti për vazhdimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut

Komisionerja evropiane për Zgjerim kërkon nga Qeveria përmbushjen e obligimit për ndryshimet kushtetuese, duke theksuar se pas miratimit të tyre procesi mund të vazhdojë pa vendime të tjera politike.

Ndryshimet kushtetuese janë hapi që Maqedonia e Veriut duhet të ndërmarrë për të vazhduar procesin e integrimit evropian pa vendime shtesë politike, deklaroi komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, pas takimit të sotëm me zëvendëskryeministrin dhe ministrin për Çështje Evropiane, Bekim Sali, në Bruksel.

Kos i bëri thirrje të drejtpërdrejtë Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të përmbushë obligimin lidhur me ndryshimet kushtetuese.

„Nuk ka shumë gjëra që duhet të bëhen. Ka shumë, por bëhet fjalë për një hap – ndryshimet kushtetuese. Pasi të miratohen ndryshimet kushtetuese, do të mund të vazhdojmë pa vendime shtesë politike. Prandaj, kjo është thirrja ime për Qeverinë: Ju lutem, bëjeni këtë, përmbusheni obligimin tuaj. Jam e sigurt se atëherë do të mund të ecim përpara, në interesin më të mirë të qytetarëve tuaj“, deklaroi Kos.

Kos: Ky është momenti që vendi të ecë përpara drejt BE-së

Sipas komisioneres evropiane, momenti aktual paraqet një mundësi që Maqedonia e Veriut të përparojë drejt Bashkimit Evropian. Ajo iu referua gjithashtu progresit të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

„Shpresoj që shumë shpejt ta nënshkruajmë Traktatin e Anëtarësimit me Malin e Zi. Edhe Shqipëria po shënon përparim të mirë. Prandaj, ky është momenti i duhur që Maqedonia e Veriut të vazhdojë përpara. Nga politikanët në Maqedoninë e Veriut varet përmbushja e pritshmërive“, tha Kos.

Sali në Bruksel, në fokus integrimi evropian

Bekim Sali po qëndron për një vizitë treditore në Bruksel, gjatë së cilës po zhvillon takime me përfaqësues të institucioneve evropiane për çështje që lidhen me integrimin evropian dhe bashkëpunimin me Bashkimin Evropian.

Sipas Ministrisë për Çështje Evropiane, në takimin me Marta Kos është diskutuar edhe për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, zbatimin e Agjendës së Reformave dhe mundësitë për përfshirjen graduale të vendit në tregun e vetëm evropian, programet dhe politikat e BE-së.

Pas takimit, Sali theksoi rëndësinë e një procesi të zgjerimit më të parashikueshëm, të bazuar në merita dhe rezultate të matshme. Ai nënvizoi se integrimi evropian duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset.

„Integrimi evropian duhet të jetë një proces që qytetarët e shohin, e ndiejnë dhe prej të cilit përfitojnë“, deklaroi Sali.

SEPA, roaming-u dhe transformimi digjital

Sipas ministrit, përfitimet konkrete të integrimit përfshijnë pjesëmarrjen në Zonën e Vetme Evropiane të Pagesave (SEPA), mundësinë e zgjerimit të modelit „Roam Like at Home“, që mundëson përdorimin e shërbimeve të telefonisë mobile gjatë udhëtimit pa tarifa shtesë roaming-u sipas kushteve përkatëse, si dhe bashkëpunimin në fushën e transformimit digjital.

Integrimi gradual në këto mekanizma synon të sjellë përfitime praktike për qytetarët dhe kompanitë, paralelisht me përparimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Gazeta Flaka

The post Marta Kos: Ndryshimet kushtetuese, kushti për vazhdimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.