Mbaron paraburgimi për pronarin e “Pulse” – më 3 tetor skadon afati ligjor

Pronari i diskotekës “Pulse” në Koçan, Dejan Jovanov-Deko, nuk mund të qëndrojë më në paraburgim pas 3 tetorit 2026, pasi atë ditë skadon afati maksimal ligjor për këtë masë, njofton Gjykata Themelore Penale-Shkup. Jovanov është i pandeh...

shtator 9, 2026 - 23:30
Mbaron paraburgimi për pronarin e “Pulse” – më 3 tetor skadon afati ligjor

Pronari i diskotekës “Pulse” në Koçan, Dejan Jovanov-Deko, nuk mund të qëndrojë më në paraburgim pas 3 tetorit 2026, pasi atë ditë skadon afati maksimal ligjor për këtë masë, njofton Gjykata Themelore Penale-Shkup.

Jovanov është i pandehuri i parë në procesin gjyqësor lidhur me zjarrin tragjik në diskotekën “Pulse”, ku më 16 mars 2025 humbën jetën 63 persona.

Nga Gjykata Penale sqarojnë se paraburgimi i Jovanovit është zgjatur për herë të fundit deri më 3 tetor 2026. Arsyeja është se aktakuza është vlerësuar më 3 tetor 2025, ndërsa ligji përcakton një kufi prej një viti për kohëzgjatjen e kësaj mase pas vlerësimit të aktakuzës.

Megjithatë, përfundimi i paraburgimit nuk nënkupton edhe përfundimin e masave ndaj tij.

Gjykata bëri të ditur se pas skadimit të afatit ligjor do të shqyrtojë, sipas detyrës zyrtare, vendosjen e masave të tjera parandaluese dhe të sigurisë, me qëllim garantimin e pranisë së të pandehurit gjatë vazhdimit të gjykimit.

Jovanov u arrestua menjëherë pas zjarrit të 16 marsit 2025, ndërsa paraburgimi ndaj tij u përcaktua më 23 mars. Procesi gjyqësor ndaj tij dhe 33 personave të tjerë nisi në nëntor të të njëjtit vit dhe ende nuk ka përfunduar.

Në mesin e të akuzuarve është edhe vëllai i tij, Todor Jovanov, ndaj të cilit është hequr masa e arrestit shtëpiak pas sigurimit të një garancie në pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 320 mijë euro. Djali i Dejan Jovanovit, ndërkohë, është nën masa të tjera paraprake.

Pronari i “Pulse” ka kërkuar disa herë ndryshimin ose heqjen e paraburgimit, duke u thirrur edhe në gjendjen e tij shëndetësore.

Familjet e viktimave kanë reaguar kundër kërkesave për lehtësimin e masave, duke shprehur shqetësim se zhvillimet procedurale mund të krijojnë përshtypjen e zbehjes së përgjegjësisë për tragjedinë.

Gjykimi, në të cilin përfshihen gjithsej 34 të pandehur, pritet të vazhdojë edhe pas përfundimit të paraburgimit të Jovanovit, ndërsa gjykata duhet të vendosë se cilat masa sigurie do të zbatohen ndaj tij pas 3 tetorit. Gazeta Flaka

The post Mbaron paraburgimi për pronarin e “Pulse” – më 3 tetor skadon afati ligjor appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.