Mbi 10 mijë dele të ngordhura, fermerët kërkojnë vaksinim urgjent
Sëmundja e lijës së deleve po shkakton dëme të mëdha materiale dhe po rrezikon ekzistencën e dhjetëra fermerëve në vend. Nga Asociacioni i Blegtorëve alarmojnë se situata në teren është kritike, ndërsa reagimi i institucioneve përgjegjëse v...
Sëmundja e lijës së deleve po shkakton dëme të mëdha materiale dhe po rrezikon ekzistencën e dhjetëra fermerëve në vend. Nga Asociacioni i Blegtorëve alarmojnë se situata në teren është kritike, ndërsa reagimi i institucioneve përgjegjëse vlerësohet si i vonuar. Sipas kryetarit të Asociacionit të Blegtorëve, Naser Xhemaili, dëmet tashmë kanë prekur pjesën lindore të vendit , ku mbi 100 fermerë kanë humbur të gjitha tufat e tyre.
Nga ana tjetër, Zv.ministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha, thotë se numri i vatrave aktive është ulur nga 30 në 11. Ai sqaron se janë kërkuar 500 mijë doza vaksinash nga Turqia, por procesi i vaksinimit mbetet pezull për shkak të koordinimit me Bashkimin Evropian dhe rrezikut të bllokimit të eksportit të mishit.
Pavarësisht paralajmërimeve për ndalimin e eksportit të mishit, blegtorët insistojnë se vaksinimi duhet të nisë menjëherë, pasi ruajtja e kopeve është prioriteti kryesor.
Greqia po përballet me njërën nga krizat më të mëdha blegtorale, ku janë konfirmuar mijëra vatra nga rajoni i Evrosit në lindje e deri në Peloponez, duke çuar në asgjësimin e mbi 400 mijë krerëve bagëti.Për të parandaluar përhapjen në të gjithë bllokun, Komisioni Evropian ka vendosur zona të rrepta restriktive në Greqi, mbyllje të thërtoreve dhe ndalim të lëvizjes së mishit e qumështit. Kjo situatë ka shërbyer si paralajmërim për shtetet fqinjë që të zbatojnë me përpikëri masat e karantinës dhe kontrollin kufitar.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.