Komisioni parlamentar për Financim dhe Buxhet sot vazhdon debatin për Propozim-Buxhetin e vitit 2027, në lexim të dytë, për të cilin janë dorëzuar më shumë se 300 amendamente.

Debati në komision ka filluar të premten dhe, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, mund të zgjasë deri në dhjetë ditë. Katër ditë janë paraparë për shqyrtimin e përgjithshëm, ndërsa gjashtë ditët e tjera për shqyrtimin e amendamenteve të dorëzuara.

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, gjatë prezantimit të propozim-buxhetit, theksoi se qëllimi kryesor është sigurimi i rritjes ekonomike, ruajtja e stabilitetit fiskal dhe përmirësimi i shërbimeve publike.

Sipas projeksioneve buxhetore, rritja ekonomike në vitin 2027 pritet të jetë 3,8 për qind. Të ardhurat e përgjithshme buxhetore janë planifikuar në 395,4 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në 440,4 miliardë denarë.

Deficiti buxhetor është projektuar në 45 miliardë denarë, përkatësisht 3,5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Për investime kapitale janë paraparë 40,8 miliardë denarë.

Nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se prioritet në realizimin e buxhetit do të jenë investimet zhvillimore, infrastruktura, energjetika, shëndetësia, arsimi dhe bujqësia. Flaka

The post Mbi 300 amendamente për Buxhetin e vitit 2027, vazhdon debati në Kuvend appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.