Mbrojtësi i viktimave do t’i thërrasë dëshmitarët e vet pasi t’i përfundojë ZPS-ja në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë vendosur që dëshmitarët e mbrojtësit të viktimave të thirren pasi të përfundojë dëgjimi i dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. “Trupi gjykues urdhëron se dëshmitarët e mbrojtësit të viktimave do të

dhjetor 4, 2024 - 13:00
 0  3
Mbrojtësi i viktimave do t’i thërrasë dëshmitarët e vet pasi t’i përfundojë ZPS-ja në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve
mbrojtesi-i-viktimave-do-t’i-therrase-deshmitaret-e-vet-pasi-t’i-perfundoje-zps-ja-ne-gjykimin-ndaj-thacit-dhe-te-tjereve

mbrojtesi-i-viktimave-do-t’i-therrase-deshmitaret-e-vet-pasi-t’i-perfundoje-zps-ja-ne-gjykimin-ndaj-thacit-dhe-te-tjereve

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë vendosur që dëshmitarët e mbrojtësit të viktimave të thirren pasi të përfundojë dëgjimi i dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

“Trupi gjykues urdhëron se dëshmitarët e mbrojtësit të viktimave do të thirren pasi të përfundojnë dëshmitarët e ZPS-së dhe pasi të jenë nxjerrë parashtrimet, argumentet dhe vendimi që ka të bëjë me parashikimet e Rregullës 130 dhe përpara se të fillojnë dëshmitarët e mbrojtjes”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Ai po ashtu tha se të gjitha palët janë pajtuar që çdo kërkesë për zhdëmtim të dorëzohet, pasi të jetë marrë vendimi sa i takon pikave të aktakuzës dhe si rrjedhojë e dha edhe një urdhër të tillë.

“Çdo kërkesë për zhdëmtim të dorëzohet pasi të jetë bërë vendimi për të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Smith.

Përpara kësaj, trupi gjykues në fillim të seancës tha se do të jepen disa urdhra me gojë para se të vijë dëshmitari Sokol Bashota. Megjithatë, urdhri i parë u bë në seancë private për publikun. E në seancë publike, u pranua një provë materiale, e cila ishte përdorur me këtë dëshmitar, e po ashtu edhe me dëshmitarin tjetër.

Po ashtu, është kundërshtuar pranimi në prova i një dokumenti për të cilin ZPS-ja kishte argumentuar se është i LPK-së që flet për taktikat, intelegjencën që pretendohet që të jetë marrë nga forcat serbe në Kosovë dhe t’i jetë dhënë TPNJ-së.

Mbrojtja e kishte kundërshtuar këtë dokument sa i takon mospërmbushjes së rregullave që ndërlidhen me autenticitetin, autorësinë dhe origjinën.

Kryesisht, edhe urdhrat e tjerë kishin të bënin me pranimin dhe kundërshtimin e disa provave materiale të tjera.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi/