Më 21 dhjetor nis gjykimi në mungesë ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 të tjerëve për v’rasjen e 107 civilëve në Gjakovë
Gjykata Themelore në Prishtinë njofton se ka caktuar seancën fillestare më 21 dhjetor 2026, ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 të akuzuarve tjerë, për krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Gjakovës, saktësisht për vrasjen e 107 civilë...


Gjykata Themelore në Prishtinë njofton se ka caktuar seancën fillestare më 21 dhjetor 2026, ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 të akuzuarve tjerë, për krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Gjakovës, saktësisht për vrasjen e 107 civilëve.
Të akuzuar në këtë rast janë: Milovan Kovaçevic, Radomir Çoliq, Milosh Doshan, Predrag Ristiq, Sërgjan Kërstiq, Ljubisha Obradoviq, Zhivko Sariq, Spaso Sariq, Lazar Drashkoviq, Zvonko Ristiq, Darko Gligorijeviq, Çedomir Bozhoviq, Vladirmir Bozhoviq, Robert Dobruna, Radomir Rakoviq, Ljubisha Rakoviq, Milosh Shqepanoviq, Milan Radoiçiq, Svetislav Gligorijeviq dhe Tomica Avramoviq, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Sipas propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi në këtë çështje do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, për shkak se te njëjtit kanë qenë te pa arritshëm deri në momentin e ngritjes se aktakuzës”, njofton Gjykata.
Gjykata u ka bërë thirrje 20 të pandehurve, që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës.
“Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve tjera kompetente”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, seanca do të mbahet më datë 21 dhjetor 2026 nga ora 09:30, nga kryetari i trupit gjykues Leon Përlaska.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 6 gusht 2026, ka ngritur aktakuzë, me propozim për mbajtjen e gjykimit në mungesë, kundër 20 të pandehurve për krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Gjakovës, saktësisht për vrasjen e 107 civilëve. Në mesin e të akuzuarve është edhe Milan Radoiçiq.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 27 mars 2025 kishte lëshuar urdhërarrest ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 të pandehurve tjerë për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.
“Betimi për Drejtësi” kishte siguruar urdhërarrestin, me të cilin urdhërohej shoqërimi i menjëhershëm i të pandehurve: Milovan Kovaçevic, Radomir Çoliq, Milosh Doshan, Predrag Ristiq, Sërgjan Kërstiq, Ljubisha Obradoviq, Zhivko Sariq, Spaso Sariq, Lazar Drashkoviq, Zvonko Ristiq, Darko Gligorijeviq, Çedomir Bozhoviq, Vladirmir Bozhoviq, Robert Dobrunaj, Radomir Rakoviq, Ljubisha Rakoviq, Milosh Shqepanoviq, Milan Radoiçiq, Svetislav Gligorijeviq dhe Tomica Avramoviq.
“Sipas aktakuzës, gjatë viteve 1998-1999, M.K., në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP) në Gjakovë, R. Ç., në cilësinë e komandantit të njësive të Policisë së Posaçme, (PJP) dhe M.D., në cilësinë e komandantit të Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me të pandehurit P.R., S.K., L.O., Zh.S., S.S., L.D., Z.R., D.G., Ç.B.,V.B.,R.B.,R.R.,L.R., M.Sh.,M.R., S.G., T.A., në cilësinë e pjesëtarëve të njësive të lartëcekura, akuzohen për pjesëmarrje në vrasjen e 107 civilëve, gjatë një operacioni të gjerë ushtarako-policior”, thuhej në njoftim i Prokurorisë për ngritje të aktakuzës.
Gjatë këtij operacioni, sipas aktakuzës, të pandehurit fillimisht kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat.
“Gratë janë plaçkitur, duke iu marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa burrat janë ekzekutuar disa në shtëpitë dhe oborret e tyre, disa në lokacionin e njohur si “Ura e Taliqit”. Po ashtu, edhe shtëpitë ishin djegur”, thuhej në njoftim.
Ndryshe, Milan Radoiçiq akuzohet edhe për sulmin terrorist në Banjskë, si organizator i grupit.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.