Më pak nxënës të klasave të para, sepse ka më pak të porsalindur, çdo vit lindin 8 mijë foshnja më pak se në periudhën para pandemisë

Kryeministri Hristijan Mickoski vlerësoi se demografia përbën rreth 90 për qind të problemit me uljen e numrit të nxënësve, ndërsa si faktor shtesë përmendi edhe shpërnguljen e popullsisë. Rënia demografike është arsyeja kryesore për zvogël...

shtator 1, 2026 - 15:30
Më pak nxënës të klasave të para, sepse ka më pak të porsalindur, çdo vit lindin 8 mijë foshnja më pak se në periudhën para pandemisë

Kryeministri Hristijan Mickoski vlerësoi se demografia përbën rreth 90 për qind të problemit me uljen e numrit të nxënësve, ndërsa si faktor shtesë përmendi edhe shpërnguljen e popullsisë.

Rënia demografike është arsyeja kryesore për zvogëlimin e numrit të nxënësve dhe mbylljen e disa shkollave në vend, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për fillimin e vitit të ri shkollor.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Mickoski, në vitin 2025 në Maqedoni kanë lindur 15.650 fëmijë, ndërsa në vitet para pandemisë numri i të porsalindurve sillej nga 22.000 deri në 23.000 në vit.

– Bëhet fjalë për 7.000 deri në 8.000 fëmijë më pak brenda shtatë-tetë vjetësh – tha Mickoski.

Ai bëri një krahasim duke theksuar se një rënie e tillë, nëse llogaritet me nga 20 nxënës për paralele, do të nënkuptonte rreth 350 paralele më pak.

Kryeministri vlerësoi se demografia ndikon me rreth 90 për qind në problemin e uljes së numrit të nxënësve, ndërsa si faktor shtesë përmendi emigrimin.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, më herët njoftoi se këtë vit 24 shkolla janë mbyllur përkohësisht. Disa prej tyre kanë mbetur pa nxënës, ndërsa në të tjera ka një numër të vogël fëmijësh, të cilët janë transferuar në shkollat më të afërta, me qëllim që të ndjekin mësimin në paralele më të mëdha dhe të kenë kushte më të mira për socializim.

Mickoski tha se Qeveria fillimisht do të përpiqet ta stabilizojë rënien e numrit të banorëve, e më pas të krijojë kushte për rritjen e popullsisë. Ai vlerësoi se me sfida të ngjashme demografike përballen edhe vende të tjera evropiane.

Gjatë vizitës së sotme në Butel, Mickoski theksoi se në të gjitha shkollat e vendit janë siguruar tekste shkollore falas për të gjithë nxënësit, si dhe se po ndërtohen shkolla të reja dhe po rikonstruktohen një numër i madh shkollash, sallash sportive dhe pishinash.

– Po, mund të konfirmoj se në të gjitha shkollat e vendit janë siguruar tekste shkollore falas, diçka që deri para tre vitesh dukej e pamundur. Nxënësve u diktohej mësimi deri në gjysmën e vitit shkollor, ndërsa disa prej tyre nuk e merrnin tekstin shkollor gjatë gjithë vitit. Tani disa nga ata që kanë harruar ato kohë, sot guxojnë të kritikojnë dhe madje, në një masë të caktuar, edhe të fyejnë. Por ne si Qeveri do të vazhdojmë të investojmë për më të dashurit tanë, e këta janë fëmijët. Investojmë në rikonstruksionin e shkollave, ndërtohen pishina, salla sportive, shkolla të reja, bëhen zgjerime dhe rinovime të shkollave – theksoi Mickoski.

Mbi 50 objekte, ndoshta edhe më shumë në të gjithë vendin, janë aktualisht në proces rikonstruksioni, shtoi Mickoski.

– A është kjo e mjaftueshme? Nuk është. A duhet të bëhet më shumë? Po, duhet. Por, më falni, besoni, për dy vjet nuk mund të rregullojmë diçka që për 35 vjet është shkatërruar sistematikisht – tha kryeministri.

Në fund, Mickoski u uroi të gjithë nxënësve të klasave të para ditë të suksesshme shkollore, shoqërim të bukur dhe krijimin e miqësive të reja.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.