Medreseja “Isa Beu” në Gostivar hap dyert për Gjeneratën e 19-të
Muftiu i Muftinisë së Gostivarit, Sabahudin Zendeli, ka uruar fillimin e vitit të ri shkollor 2026/2027 dhe mirëseardhjen e Gjeneratës së 19-të në Medresenë “Isa Beu” – Paralelja e Vajzave në Gostivar. Në një mesazh të publikuar me rasti...
Muftiu i Muftinisë së Gostivarit, Sabahudin Zendeli, ka uruar fillimin e vitit të ri shkollor 2026/2027 dhe mirëseardhjen e Gjeneratës së 19-të në Medresenë “Isa Beu” – Paralelja e Vajzave në Gostivar.
Në një mesazh të publikuar me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Zendeli thekson se për pritjen e nxënëseve të reja janë përfunduar të gjitha përgatitjet, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe frymëzuese.
“Me shumë përkushtim, dashuri dhe entuziazëm, janë përfunduar të gjitha përgatitjet për ta pritur gjeneratën më të re në një atmosferë të ngrohtë, frymëzuese dhe plot energji pozitive”, thuhet në urimin e Muftiut të Gostivarit.
Sipas tij, klasat, kabinetet dhe hapësirat e tjera të medresesë janë përgatitur për fillimin e një kapitulli të ri për nxënëset.
“Nesër nis një kapitull i ri – një rrugëtim i mbushur me dije, edukatë, vlera islame, miqësi të sinqerta dhe ëndrra që marrin jetë”, shprehet Zendeli.
Ai u ka uruar nxënëseve të Gjeneratës së 19-të një fillim të mbarë dhe suksese gjatë vitit të ri shkollor.
“Mirë se vini, Gjenerata e 19-të! Ju urojmë një fillim të mbarë, shumë suksese, shëndet, gëzim dhe një vit shkollor të mbushur me arritje, buzëqeshje e bekime.”
Urimi përmbyllet me dëshirën që viti shkollor 2026/2027 të jetë i suksesshëm për të gjitha nxënëset dhe stafin e Medresesë.
“Na priftë e mbara në vitin e ri shkollor 2026/2027!” Gostivari Sot
The post Medreseja “Isa Beu” në Gostivar hap dyert për Gjeneratën e 19-të appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.