Mehmetaj: Do të publikoj intervistën me dëshmitarin e rastit Allaqi, Specialja nuk vazhdoi ta thërriste më

Gazetari Lirim Mehmetaj ka paralajmëruar publikimin e një interviste me një dëshmitar, për të cilin thotë se kishte pritur në shtëpinë e tij Behajdin Allaqin, kur ky i fundit kishte shkuar në Drenoc të Rahovecit në qershor të vitit 1998. Si...

shtator 28, 2026 - 19:00
Mehmetaj: Do të publikoj intervistën me dëshmitarin e rastit Allaqi, Specialja nuk vazhdoi ta thërriste më

Gazetari Lirim Mehmetaj ka paralajmëruar publikimin e një interviste me një dëshmitar, për të cilin thotë se kishte pritur në shtëpinë e tij Behajdin Allaqin, kur ky i fundit kishte shkuar në Drenoc të Rahovecit në qershor të vitit 1998.

Sipas Mehmetajt, Allaqi kishte fjetur në shtëpinë e këtij personi gjatë asaj kohe.

Mehmetaj thotë se bëhet fjalë për periudhën kur Allaqi u zhduk dhe nuk u pa më, ndërsa pretendon se personi që ka intervistuar kishte qenë dëshmitar i Prokurorisë në procesin gjyqësor në Hagë.

Megjithatë, sipas gazetarit, dëshmitari nuk ishte ftuar më pas nga Dhomat e Specializuara për të dhënë dëshmi.

Mehmetaj pretendon se dëshmia e tij do të ishte në favor të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, pasi, sipas tij, dëshmitari mund të dëshmonte se ata nuk ishin të pranishëm në Drenoc në momentin kur Allaqi kishte mbërritur apo ishte larguar.

“Kjo intervistë tregon se Gjykata Speciale nuk i dënoi Thaçin e Veselin për shkak të provave, po për shkak të dëshirave”, ka shkruar Mehmetaj.

Ai ka paralajmëruar se intervista do të publikohet në “VOX Kosova”, duke u bërë thirrje qytetarëve që ta shikojnë të plotë.

Mehmetaj ka thënë gjithashtu se do të vazhdojë të publikojë materiale që, sipas tij, synojnë të dëshmojnë se UÇK-ja ishte “e pastër” në qëllimin dhe misionin e saj.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.