MEPSO ndan 15 bursa për studentët, Latifi: Synojmë që talentet e rinj t’i bëhen pjesë ekipit tonë

Drejtori i SHA MEPSO, Burim Latifi, ka njoftuar ndarjen e 15 bursave për studentët për vitin akademik 2026/2027, të dedikuara për studentë nga pesë universitete dhe fakultete në vend. Sipas njoftimit të Latifit, do të ndahen nga tri bursa p...

Nëntor 9, 2026 - 17:30
MEPSO ndan 15 bursa për studentët, Latifi: Synojmë që talentet e rinj t’i bëhen pjesë ekipit tonë

Drejtori i SHA MEPSO, Burim Latifi, ka njoftuar ndarjen e 15 bursave për studentët për vitin akademik 2026/2027, të dedikuara për studentë nga pesë universitete dhe fakultete në vend.

Sipas njoftimit të Latifit, do të ndahen nga tri bursa për Universitetin “Nëna Terezë” në Shkup, Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip, Universitetin e Tetovës, Fakultetin Teknik në Manastir dhe Fakultetin e Elektroteknikës dhe Teknologjive të Informacionit në Shkup.

Secila bursë do të ketë vlerën prej 12.000 denarësh në muaj, me qëllim të mbështetjes financiare të studentëve dhe avancimit të tyre akademik e profesional.

Latifi thekson se iniciativa nuk ka për qëllim vetëm mbështetjen financiare, por edhe identifikimin e studentëve të suksesshëm dhe krijimin e mundësive që ata në të ardhmen t’i bashkohen ekipit të MEPSO-s.

“Dëshirojmë të identifikojmë studentët më të mirë dhe më të motivuar, të investojmë në potencialin e tyre dhe të krijojmë mundësi që në të ardhmen ata t’i bashkohen ekipit të MEPSO-s dhe të kontribuojnë në zhvillimin e sektorit energjetik”, ka shkruar Latifi.

Ai ka vlerësuar se investimi në dije dhe në gjeneratat e reja është garanci për një sektor energjetik më të fuqishëm në të ardhmen.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.