Mevlan Ademi paralajmëron rikthimin e studentëve në protesta

Lideri i lëvizjes studentore shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Mevlan Ademi, ka reaguar lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës, duke kritikuar mungesën e një zgjidhjeje konkrete për zhvillimin e tij në gjuhën shqipe. Ademi thekson ...

tetor 19, 2026 - 22:00
Mevlan Ademi paralajmëron rikthimin e studentëve në protesta

Lideri i lëvizjes studentore shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Mevlan Ademi, ka reaguar lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës, duke kritikuar mungesën e një zgjidhjeje konkrete për zhvillimin e tij në gjuhën shqipe.

Ademi thekson se, pavarësisht qëndrimeve të zëvendëskryeministrave Izet Mexhiti dhe Arben Fetai, si dhe deklaratës së kryeministrit për Komisionin e Venecias, provimi i jurisprudencës vazhdon të mbetet në gjuhën maqedonase.

Sipas tij, propozimi aktual nuk parasheh zhvillimin e provimit 100 për qind në gjuhën shqipe, nuk përcakton afat kohor dhe, njëkohësisht, vë në pikëpyetje Kushtetutën dhe ligjet ekzistuese. Ademi vlerëson se për provimet e tjera ende nuk ka hapa konkretë drejt zgjidhjes së kësaj çështjeje.

Megjithatë, ai sheh një zhvillim pozitiv në ndryshimin e qasjes ndaj përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore.

“Pozitive është të paktën në mentalitet, sepse nga ‘s’mund të përveç se maqedonisht’ të Filkovit, shkuam në propozimin 50/50 të Mickoskit dhe tani kemi arritur në 84 për qind në gjuhën shqipe”, shprehet Ademi.

Ai vlerëson se rruga drejt një zgjidhjeje të plotë është e drejtë, por e vështirë, ndërsa thekson se për këtë nevojitet bashkëpunimi dhe angazhimi i përbashkët i të gjithë përfaqësuesve politikë shqiptarë.

Në fund, lideri i lëvizjes studentore shqiptare dërgon një mesazh të qartë, duke paralajmëruar se studentët nuk kanë kohë për të humbur me lojëra politike dhe se, nëse nuk ka përparim konkret, mund të organizohen sërish për t’u kthyer në rrugë.

“Por ne studentët s’kemi kohë të humbim me lojëra politike dhe ndoshta do organizohemi sërish t’i kthehemi rrugës”, përfundon Ademi. (INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.