Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka akuzuar BDI-në se gjatë kohës sa ishte në pushtet i ka hapur rrugë depërtimit të ndikimit serb në Maqedoninë e Veriut, përmes politikës, nëntokës dhe sektorit financiar.
Në një reagim në rrjetet sociale, Mexhiti është ndalur te dokumenti zyrtar, i publikuar në opinion, përmes të cilit, sipas tij, qeveria e atëhershme LSDM-BDI i hapi rrugë ligjore dhe institucionale ardhjes së Alta Bankës nga Serbia në Maqedoninë e Veriut.
Ai ka rikujtuar se që në vitet 2021, 2022 dhe 2023 kishte paralajmëruar për atë që e quan depërtim të “botës serbe” në institucionet dhe shoqërinë e vendit.
Ja postimi i plotë:
Shumëkush mund te ketë pasur dilema kur në vitet 2021, 2022, 2023 paralajmëroja që bota serbe po depërtonte në çdo pore të shoqërisë tonë, ndërsa BDI, fatkeqësisht, po jipte aminin politik.
Sot, kur opinioni kishte rastin ta shohë edhe publikisht dokumentin zyrtar me të cilin qeveria LSDM-BDI i shtroi udhën ligjore dhe institucionale ardhjes së Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut, më ngelet vetëm të konstatoj se koncepti ‘bota serbe’ i paska shtruar rrënjët shumë thellë në shtetin tonë. E kisha ditur se puna ka shkuar keq, por se kaq keq e kaq larg do të shkonte aleanca me Serbinë, kjo nuk do t’i kishte shkuar në mend askujt, as mua!
Bota serbe pra, gjatë qeverisjes së BDI-së, gjeti zbatim aktiv përmes shtrirjes në tre segmente kyçe:
1. Shtrirja politike përmes projektit ‘Open Balkan’
2. Shtrirja e nëntokës përmes mafisë së bixhozit;
3. Shtrirja financiare përmes sektorit bankar.
Bashkëjetesa e këtyre tre hallkave është kanceri i një shoqërie. Ndërlidhja e krimit me shtetin është kapja e shtetit vetë! E kapjen e Maqedonisë së Veriut nga bota serbe, fatkeqësisht, e miratoi pikërisht BDI-ja, partia që sot bën zhurmuesin kryesor nacionalist në vend dhe rajon.
Por, sa më shumë bërtasin, aq më të madh e kanë hallin se po u del boja, po u shkrihet fasada, po u bien maskat. Sa më shumë trumpetojnë, aq më të tmerruar janë nga fakti se e vërteta vonon, por nuk harron! Sa më shumë tentojnë të na godasin, e zbulojnë të vërtetën për dëmin e thellë që na e kanë shkaktuar si shoqëri dhe neve si shqiptarë në veçanti.
Trinomi ‘Bota serbe – nëntoka serbe – banka serbe’ ngadalë po demontohet. Shoqëria do të lirohet nga pasojat e këtij trinomi kancerogjen. E për ata që na e shkaktuan këtë epidemi filoserbe, pasoja do të ketë, për këtë ju siguroj”, shkroi Mexhiti.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




