Mexhiti: Dibra ka potencial të madh zhvillimi, në fokus investimet, turizmi dhe krijimi i vendeve të reja të punës
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, së bashku me përfaqësues të pushtetit qendror, ministra, zëvendësministra dhe deputetë, realizoi një vizitë pune në Dibër, gjatë së cilës u diskutuan projektet infrastrukturore, zhvillimi ekonomik, po...
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, së bashku me përfaqësues të pushtetit qendror, ministra, zëvendësministra dhe deputetë, realizoi një vizitë pune në Dibër, gjatë së cilës u diskutuan projektet infrastrukturore, zhvillimi ekonomik, potenciali turistik dhe mundësitë për investime të reja në këtë komunë.
Vizita nisi me takimin me kryetarin e Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, ku u shqyrtuan projektet në realizim dhe nevojat prioritare të komunës, me theks të veçantë në përmirësimin e infrastrukturës në qytet dhe fshatra, zhvillimin e turizmit dhe blegtorisë, shfrytëzimin e potencialit të Liqenit të Dibrës dhe përfshirjen e diasporës në zhvillimin ekonomik.
“Dibra ka potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim, por shfrytëzimi i tij kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror. Jemi këtu për të identifikuar nevojat konkrete, për të parë ecurinë e projekteve dhe për të kontribuar në tejkalimin e pengesave që ngadalësojnë realizimin e tyre. Mbështetja për investimet në infrastrukturë, turizëm dhe ekonomi është thelbësore për krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Kryetari Fisnik Mela dhe qytetarët e Dibrës do ta kenë mbështetjen tonë në këto procese”, deklaroi Mexhiti.
Në kuadër të vizitës, delegacioni qëndroi edhe në Banjat e Dibrës Capa në Banjisht, ku në fokus ishte zhvillimi i turizmit shëndetësor dhe ndikimi i tij në ekonominë lokale, veçanërisht në hoteleri, gastronomi dhe mbështetjen e prodhuesve vendas.
Vizita vijoi në kompaninë KNAUF, ku u diskutua rëndësia e zhvillimit industrial, zgjerimit të kapaciteteve prodhuese dhe krijimit të mundësive për punësim. U theksua nevoja për përmirësimin e infrastrukturës, lehtësimin e procedurave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, bizneseve dhe institucioneve arsimore për përgatitjen e kuadrove profesionale.
Vizita në Dibër konfirmoi rëndësinë e koordinimit institucional dhe të një qasjeje të përbashkët ndaj investimeve, me synim shfrytëzimin e potencialeve ekonomike dhe turistike të kësaj zone dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim të qëndrueshëm.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.