Mickoski: Besoni ose jo, ekonomia e Maqedonisë është më e qëndrueshmja në rajon dhe më gjerë
Kryeministri Hristijan Mickoski vlerësoi se pasqyra makroekonomike në vend është e qëndrueshme dhe se ekonomia sot është shumë, shumë më stabile se ekonomitë e rajonit, duke i hedhur poshtë pretendimet e opozitës se Maqedonia po shkon drejt...
Kryeministri Hristijan Mickoski vlerësoi se pasqyra makroekonomike në vend është e qëndrueshme dhe se ekonomia sot është shumë, shumë më stabile se ekonomitë e rajonit, duke i hedhur poshtë pretendimet e opozitës se Maqedonia po shkon drejt falimentimit.
“Po, ekonomia po shkonte drejt falimentimit, në vitin 2024 ishim drejtpërdrejt në falimentim, por, për fat të mirë, arritëm disi ta konsolidojmë në kushte jashtëzakonisht të vështira, të cilat ndërkohë ishin krijuar. Kështu që, fotografia makroekonomike në vend është stabile dhe të gjithë parametrat tregojnë se makroekonomia, besoni apo jo, sot është shumë, shumë më stabile se çdo ekonomi në rajonin ku jetojmë”, tha Mickoski.
Sa i përket zhvillimeve në tregtinë e jashtme, Mickoski theksoi se në dy muajt e fundit të tremujorit të tretë, rritja e eksportit ka arritur në pothuajse 13-14 për qind, ndërsa importi ka shënuar rritje më të ulët.
“Që do të thotë se eksporti po rritet më shpejt se importi, në kushte kur partnerët tanë më të mëdhenj tregtarë, pra Bashkimi Evropian, gjithashtu përballen me sfida të caktuara, të cilat mendoj se janë historike, të paktën në dekadat e fundit, sa i përket strukturës së ekonomisë botërore. Dhe e konsideroj këtë sukses”, tha kryeministri.
Mickoski vlerësoi se trendi pozitiv lidhet edhe me politikat e Qeverisë, si dhe me kreditë e subvencionuara që kompanitë i kanë përdorur për investime në prodhim më të avancuar.
“Politikat e Qeverisë, së bashku me ato që do t’i quaja kredi të subvencionuara, të cilat një pjesë e madhe e kompanive i morën për të investuar në prodhim më të avancuar, kanë rezultuar me rritje të aktivitetit investues, por edhe me rritje të eksportit”, tha Mickoski.
Sipas tij, këto zhvillime pozitive nuk janë parë për një kohë të gjatë në ekonominë maqedonase.
“Dhe sigurisht që jemi të lumtur, sepse shumë kohë më parë nuk kanë ndodhur gjëra të tilla në ekonominë maqedonase”, theksoi kryeministri.
The post Mickoski: Besoni ose jo, ekonomia e Maqedonisë është më e qëndrueshmja në rajon dhe më gjerë appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.