Mickoski i pakënaqur me Brukselin: Von der Leyen këmbëngul për ndryshimin e Kushtetutës

Kryeministri Hristijan Mickoski bëri të ditur se ende nuk ka përgjigje nga Sofja zyrtare për kërkesën për një takim dypalësh mes ministrave të Jashtëm të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, në margjinat e samitit për Korridorin VIII. Takim...

tetor 3, 2026 - 20:30
Mickoski i pakënaqur me Brukselin: Von der Leyen këmbëngul për ndryshimin e Kushtetutës

Kryeministri Hristijan Mickoski bëri të ditur se ende nuk ka përgjigje nga Sofja zyrtare për kërkesën për një takim dypalësh mes ministrave të Jashtëm të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, në margjinat e samitit për Korridorin VIII.

Takimin me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Mickoski e vlerësoi si të dobishëm, por shprehu pakënaqësi me mesazhet e saj lidhur me ndryshimet kushtetuese.

“Dhe nëse refuzojnë, atëherë edhe një herë do të konfirmohen të gjitha ato teza për të cilat ne kemi shqetësime. Nuk pres që ta refuzojnë, nuk do të ishte e mençur, por kjo është vendim sovran i tyre. Nuk është vendim i yni. Ministri e ka bërë kërkesën dhe tani mbetet që fqinji ynë lindor të vendosë se çfarë do të bëjë më tej”, tha Mickoski.

I pyetur nëse ka marrë ndonjë përgjigje, ai u përgjigj: “Nuk kam informacion se deri në këtë moment ka ndonjë përgjigje.”

Takimin me von der Leyen, Mickoski e cilësoi si “miqësor dhe të dobishëm”, duke theksuar se ai mund të jetë i rëndësishëm për proceset që pritet të nisin javën e ardhshme.

Megjithatë, ai tha se nuk është i kënaqur me mesazhet e presidentes së Komisionit Evropian për ndryshimet në Kushtetutë.

“Ajo tha qartë se ndryshimi i Kushtetutës mbetet në tryezë, gjë që ishte pranuar nga qeveria e mëparshme”, deklaroi Mickoski.

Ai kritikoi edhe qeverinë e kaluar, përkatësisht koalicionin LSDM-BDI, duke e akuzuar se, sipas tij, “në mungesë të kreativitetit dhe ideve për tejkalimin e kësaj situate dhe për unitet me qeverinë”, po përpiqet përmes “gënjeshtrave dhe shpikjeve” të krijojë përshtypjen se qeveria aktuale do ta ndryshojë kornizën negociuese.

Megjithatë, Mickoski vlerësoi se ka përparim në komunikim.

“Siç e shihni, kemi arritur te bisedimet. Diçka që më parë nuk ishte e mundur, tani po ndodh”, tha kryeministri.

Sipas tij, mesazhet e von der Leyen, pavarësisht rezervave të tij, përbëjnë edhe një nxitje, veçanërisht sa i përket angazhimit të qeverisë për agjendën e reformave.

Mickoski paralajmëroi se qeveria do të vazhdojë me reformat dhe do t’i intensifikojë aktivitetet në Bruksel. Ai tha se muajin e ardhshëm do të zhvillojë takime me komisioneren evropiane për Zgjerimin, ndërsa do të marrë pjesë edhe në samitin kushtuar Ballkanit Perëndimor.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.