Mickoski kërkon përfshirjen e BE-së në zgjidhjen e çështjes me Sofjen

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se vendi i tij pret një përfshirje më aktive të Bashkimit Evropian në tejkalimin e çështjeve të hapura...

tetor 2, 2026 - 22:30
Mickoski kërkon përfshirjen e BE-së në zgjidhjen e çështjes me Sofjen

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se vendi i tij pret një përfshirje më aktive të Bashkimit Evropian në tejkalimin e çështjeve të hapura me Bullgarinë.

Mickoski tha se Shkupi është i gatshëm që problemet me fqinjin lindor t’i zgjidhë përmes dialogut, por kërkoi që procesi të zhvillohet mbi parime të qarta dhe pa kushte të reja bilaterale.

“Sot diskutuam hapur edhe për sfidat që kemi në marrëdhëniet me fqinjin tonë lindor. Dëshira jonë është që këto çështje të tejkalohen përmes dialogut, me vullnet të mirë dhe respekt të ndërsjellë”, tha Mickoski.

Ai theksoi se nga BE-ja nuk kërkohet të mbajë anë në mosmarrëveshjen mes Shkupit dhe Sofjes, por të ndihmojë në krijimin e kushteve për një zgjidhje të qëndrueshme.

“Presim që edhe BE-ja të përfshihet në këtë proces dhe nuk kërkojmë që Bashkimi të mbajë anë, kërkojmë të ndihmojë në krijimin e kushteve për një zgjidhje të qëndrueshme evropiane”, deklaroi kryeministri.

Sipas Mickoskit, marrëveshjet e arritura duhet të jenë të qarta dhe detyrimet të vlejnë për të gjitha palët, ndërsa procesi i anëtarësimit në BE nuk duhet të shoqërohet vazhdimisht me kushte të reja bilaterale.

“Çdo zgjidhje duhet të krijojë siguri se me përmbushjen e saj mbyllet një fazë dhe hapet rruga drejt fazës së ardhshme, pa hapësirë për interpretime të reja dhe kërkesa shtesë”, tha ai.

Mickoski përsëriti se përcaktimi evropian i Maqedonisë së Veriut mbetet i pandryshuar dhe se vendi, sipas tij, po vazhdon me zbatimin e reformave të kërkuara në kuadër të procesit të integrimit.

“Dëshirojmë të jemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe punojmë me përkushtim për këtë qëllim”, tha Mickoski, duke shtuar se vendi pret një proces të drejtë dhe të bazuar në rregulla të qarta.

Ai vlerësoi gjithashtu rëndësinë e Planit të Rritjes dhe integrimit gradual me tregun evropian, duke përmendur si shembull Korridorin VIII dhe projektet që synojnë rritjen e lidhshmërisë infrastrukturore dhe ekonomike.

Në fund të deklaratës së tij, Mickoski tha se vizitën e Von der Leyen në rajon e sheh si një hap drejt “besimit më të madh, dialogut më të hapur dhe bashkëpunimit më konkret” me Bashkimin Evropian. Gazeta Flaka

The post Mickoski kërkon përfshirjen e BE-së në zgjidhjen e çështjes me Sofjen appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.