MILANI NDRYSHON FYTYRË! Amorim ua ‘mbyll gojën’ kritikëve

Fitorja bindëse 3-0 ndaj Lecces duket se ka rikthyer qetësinë në kampin e Milanit, duke i dhënë trajnerit Ruben Amorim një pauzë më të qetë gjatë pushimit të kombëtareve. Sipas raportimeve të La Gazzetta dello Sport, triumfi në San Siro ka ...

shtator 23, 2026 - 12:00
MILANI NDRYSHON FYTYRË! Amorim ua ‘mbyll gojën’ kritikëve

Fitorja bindëse 3-0 ndaj Lecces duket se ka rikthyer qetësinë në kampin e Milanit, duke i dhënë trajnerit Ruben Amorim një pauzë më të qetë gjatë pushimit të kombëtareve.

Sipas raportimeve të La Gazzetta dello Sport, triumfi në San Siro ka zbutur kritikat ndaj trajnerit portugez, i cili ishte vënë në qendër të vëmendjes pas humbjes europiane ndaj Benficës.
Amorim iu përgjigj kritikëve në fushë, duke prezantuar një Milan ndryshe, si në aspektin taktik, ashtu edhe në përzgjedhjen e lojtarëve, transmeton ORAinfo.

Mbetet për t’u parë nëse kjo paraqitje ishte thjesht një reagim i momentit apo nëse trajneri ka gjetur formulën që do ta shoqërojë skuadrën edhe në vazhdim të sezonit.

Gjithsesi, fitorja ndaj Lecces i ka dhënë Milanit disa pika të rëndësishme mbi të cilat mund të ndërtojë pas pushimit.

Pulisic, rikthimi i një lojtari vendimtar
Një nga konfirmimet më të rëndësishme ishte Christian Pulisic.

Amerikani bëri startin e tij të parë dhe ndikimi i tij në lojën e Milanit ishte i dukshëm. Shpejtësia, lëvizjet pa top dhe aftësia për të krijuar hapësira e bëjnë Pulisic një profil të veçantë në repartin ofensiv të kuqezinjve.
Këtë e tregoi edhe goli i parë. Pulisic u shkëput në hapësirë, kontrolloi në mënyrë të shkëlqyer një pasim të gjatë të Strahinja Pavlovic dhe më pas mposhti portierin Falcone me një goditje të shpejtë.

Përveç golit, Pulisic pati rol edhe në aksionin e golit të Adrien Rabiot, duke dhënë një tjetër shembull të aftësisë së tij për të luajtur në hapësira të ngushta dhe për të krijuar raste për shokët e skuadrës.

Pas 266 ditësh pa shënuar për Milanin, rikthimi te goli ishte një sinjal i rëndësishëm.

Për Amorimin, tashmë duket e vështirë të imagjinohet një formacion ku Pulisic nuk ka një rol të rëndësishëm, nëse gjendja fizike dhe rotacioni e lejojnë.

Amorim tregon fleksibilitet taktik

Një tjetër element i rëndësishëm ishte ndryshimi taktik.

Amorim është identifikuar prej vitesh me sistemin 3-4-2-1, por ndaj Lecces Milani përdori edhe një linjë me katër mbrojtës në momente të ndryshme të ndeshjes.

Mario Gila u zhvendos në krahun e djathtë, ndërsa Pervis Estupinan u tërhoq më thellë në të majtë.

Ky ndryshim i dha skuadrës më shumë hapësirë për të avancuar Samuel Chukwuezen dhe duket se e kapi në befasi skuadrën e Eusebio Di Francescos.

Kjo fleksibilitet taktik mund të jetë një nga zhvillimet më interesante për Milanin në vazhdim.
Amorim duket se po tregon gatishmëri për të përshtatur skemën sipas kundërshtarit dhe rrethanave të ndeshjes, në vend që të mbështetet vetëm te një strukturë fikse.

Rabiot dhe Modric, dy figura të rëndësishme
Në mesfushë, Adrien Rabiot vazhdon të tregojë se mund të jetë një lojtar i rëndësishëm për ekipin.
Francezi është rikthyer në rolin e mesfushorit qendror pas eksperimenteve në pozicionin e mesfushorit ofensiv dhe ndaj Lecces shënoi golin e tij të parë të sezonit në San Siro.

Rabiot ka aftësinë të luajë në disa pozicione, por paraqitja e tij në mesfushë tregon se aty mund të jetë një nga rolet ku Milani përfiton më shumë prej cilësive të tij.

Në krah të tij, përvoja e Luka Modric mund të bëhet veçanërisht e vlefshme në ndeshjet ku Milani kontrollon ritmin dhe zotërimin e topit.
Moreira, një tjetër alternativë në sulm
Një tjetër emër që po tërheq vëmendjen është Diego Moreira.

Portugezi ka shënuar tre gola në vetëm 66 minutat e fundit që ka luajtur, duke treguar se mund të jetë një alternativë interesante në fazën offensive.

Deri tani, Amorim e ka përdorur kryesisht si zëvendësues, por forma e tij mund të ndryshojë hierarkinë në repartin e sulmit.

Tani trajneri portugez ka rreth tre javë për të analizuar situatën dhe për të vendosur se si do ta ndërtojë Milanin pas pushimit të kombëtareve.
Fitorja 3-0 ndaj Lecces nuk i ka zgjidhur të gjitha problemet e skuadrës, por i ka dhënë Amorimit diçka që i mungonte pas rezultateve të fundit: qartësi, disa alternativa të reja taktike dhe lojtarë kyç që po rikthehen në formën e duhur. /ORAinfo/


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.