Ministria e Energjetikës: Sistemi elektroenergjetik i vendit mbetet stabil dhe i gatshëm
Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale (MEMBM) njofton se po monitoron vazhdimisht situatën energjetike në rajon dhe Evropë, si dhe treguesit hidrologjikë në vend. Sipas të dhënave aktuale, gjendja në Maqedoninë e Veriut ...
Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale (MEMBM) njofton se po monitoron vazhdimisht situatën energjetike në rajon dhe Evropë, si dhe treguesit hidrologjikë në vend. Sipas të dhënave aktuale, gjendja në Maqedoninë e Veriut është stabile dhe për momentin nuk ka indikacione se niveli i ulët i ujërave në Evropë paraqet rrezik për sigurinë e prodhimit vendor të energjisë elektrike.
Nga Ministria bëjnë të ditur se, së bashku me SHA ESM, SHA MEPSO dhe institucionet e tjera kompetente, monitorojnë rregullisht parametrat hidrologjikë, rezervat në dispozicion dhe parashikimet, me qëllim që të ndërmerren në kohë të gjitha masat e nevojshme nëse kushtet ndryshojnë.
“Gjendja e akumulacioneve është stabile dhe mundëson menaxhim të sigurt të potencialit hidroenergjetik vendas. Rezervuarët janë të mbushur rreth 70 për qind, çka mundëson përmbushjen e nevojave aktuale në përputhje me prodhimin e planifikuar. Hidrocentralet vazhdojnë të sigurojnë edhe shërbimet sistemore të domosdoshme për ruajtjen e stabilitetit të rrjetit elektroenergjetik”, thuhet në njoftim.
Ministria thekson se edhe treguesit e prodhimit vendor janë inkurajues.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, gjatë muajit maj në Maqedoninë e Veriut janë prodhuar 462.653 megavat-orë energji elektrike, duke mbuluar 96,5 për qind të konsumit të brendshëm.
Në të njëjtën kohë, të dhënat e SHA ESM tregojnë një rritje prej 76 për qind të prodhimit nga hidrocentralet, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, si dhe një rritje prej rreth 10 për qind të prodhimit nga centralet me erë.
Sipas Ministrisë, këto rezultate dëshmojnë se diversifikimi gradual i kapaciteteve prodhuese, menaxhimi i kujdesshëm i rezervuarëve dhe planifikimi më i mirë po e bëjnë sistemin energjetik të vendit më rezistent ndaj ndryshimeve klimatike.
Paralelisht, po investohet në kapacitete të reja për prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme, në modernizimin e infrastrukturës elektroenergjetike, zhvillimin e sistemeve të baterive për ruajtjen e energjisë dhe në projekte që do të rrisin fleksibilitetin e sistemit.
“Është në ndërtim faza e dytë e parkut me erë ‘Bogdanci’, me ç’rast kapaciteti i tij i instaluar do të arrijë në 50 megavat. Gjithashtu, po nisin aktivitetet për realizimin e centraleve fotovoltaike ‘Bitola 1’ dhe ‘Oslomej 2’, ndërsa përgatitjet për ‘Bitola 2’ dhe ‘Bitola 3’ janë në fazë të avancuar. Njëkohësisht, po krijohen kushtet për përdorim më të gjerë të sistemeve për ruajtjen e energjisë elektrike, të cilat do të mundësojnë shfrytëzim më efikas të burimeve të ripërtëritshme dhe stabilitet më të madh të sistemit”, thekson Ministria.
Sa i përket lidhjeve rajonale energjetike, Ministria njofton se po zbatohet intensivisht projekti për interkonektorin e gazit me Greqinë, i cili do të sigurojë qasje në burime të reja të gazit natyror, ndërsa paralelisht po përgatitet realizimi i interkonektorit me Serbinë.
Po ashtu, Maqedonia e Veriut ka marrë ftesë për t’iu bashkuar Korridorit Vertikal të Gazit, një nga nismat më të rëndësishme evropiane për diversifikimin e furnizimit me gaz natyror dhe forcimin e sigurisë energjetike në Evropën Juglindore, Qendrore dhe Lindore.
Sipas Ministrisë, përfshirja në këtë rrjet evropian do të rrisë rëndësinë strategjike të interkonektorëve me Greqinë dhe Serbinë, duke e shndërruar vendin në një pikë të rëndësishme tranziti për furnizimin me gaz në rajon dhe Evropë.
Ministria vlerëson se krizat e fundit globale energjetike kanë dëshmuar se pavarësia energjetike është një nga faktorët kryesorë të qëndrueshmërisë së çdo shteti modern. Sipas saj, vendet që investojnë në prodhimin e brendshëm dhe në lidhje të diversifikuara energjetike janë më rezistente ndaj krizave të jashtme dhe mbrojnë më mirë interesat e qytetarëve dhe ekonomisë.
Në fund, Ministria e Energjetikës thekson se do të vazhdojë të zbatojë politika afatgjata për rritjen e prodhimit vendor, zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme, modernizimin e infrastrukturës, zgjerimin e kapaciteteve për ruajtjen e energjisë dhe forcimin e bashkëpunimit energjetik rajonal, ndërsa do të monitorojë vazhdimisht situatën në vend dhe rajon për të garantuar furnizim të qëndrueshëm, të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji elektrike për qytetarët dhe ekonominë.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.