MISIONI: TA KALLUM KOSOVËN

Shkruan: Xhafer Shatri Pas verdiktit në Hagë, më 16 shtator 2026, priteshin demonstrata e shprehje pakënaqësie. Por jo në këtë masë. Sepse logjikisht pritej që, së pari, të publikohej aktgjykimi e pastaj, në përputhje me të, të veprohej. Si...

tetor 6, 2026 - 09:30
MISIONI: TA KALLUM KOSOVËN

Shkruan: Xhafer Shatri

Pas verdiktit në Hagë, më 16 shtator 2026, priteshin demonstrata e shprehje pakënaqësie. Por jo në këtë masë. Sepse logjikisht pritej që, së pari, të publikohej aktgjykimi e pastaj, në përputhje me të, të veprohej.

Si dikush që ka telashe shëndetësore dhe e pret rentgenin apo skanerin për t’u përcaktuar diagnoza e saktë.

Dhe në këtë rast nuk ndihmon as hoxha, as prifti, as protestat. Por mjeku që quhet qeveri. Sepse dëmtimi i Kosovës është aq i madh, sa që kërkohet një veprim i koordinuar, në thelb të të cilit duhet të jetë shteti e askush tjetër.

Po ndodh krejt ndryshe. Kauza e mllefit kundër vendimit të Gjykatës Speciale po kthehet në luftë të egër për pushtet.

Dhe në përplasje të qëllimshme me policinë.

Këtë po e nxisin ata që janë fajtorët kryesorë për themelimin e Gjykatës Speciale. Sepse, duke e themeluar atë, e shkelën sovranitetin e vendit. Madje nuk qitën kurrfarë kushtesh. Dhe tash, me një të rënë të lapsit, duan ta bëjnë joekzistente marrëzinë, fajin e tyre kolosal. Punë që s’bëhet.

Këtu tash hyjnë në veprim edhe faktorë të tjerë: zanatçinjtë e luftës hibride, për ta thelluar krizën dhe për të krijuar kaos në Kosovë. E këtu ka shumë argatë që paguhen rrast. Padronët e disa mediave dhe ata që i frikohen përballjes me ligjin me shumë se egjelit.

Ashiqare, PDK ka një strategji të qartë: ta shfrytëzojë rastin që, përmes trazirave, ta rritë rejtingun në zgjedhjet e ardhshme, të cilat, siç po shihet, do të mbahen pas 45 ditësh.

Marrëzi kolosale, sepse brenda kësaj kohe do të dalin në publik detaje pikante nga aktgjykimi që e dënoi shefin e saj historik me 25 vjet burg. Dhe ata që po e mbushin sheshin, shumica të lindur pas Luftës, do të ftohen shpejt dhe do të kthehen në shtrojerën politike që u takon: te brezi i ri i politikanëve që përfaqësojnë Kurti, Abdixhiku etj.

PDK ka edhe një hall tjetër. Duke qenë më shumë kartel se parti, aty nuk ka përballje idesh, por luftë të pamëshirshme bërrylash. Qëllimi është që, përmes trazirave, ta rrëzojnë liderin e kompromisit, Bedri Hamzën.

Fituesi moral në këtë përplasje është Policia e Kosovës. Rejtingu i saj po rritet, radhët e saj po forcohen përmes një diferencimi të qartë: ata që e mbrojnë shtetin dhe ata që, për interesa meskine, i shërbejnë kaosit.

Në këtë betejë të ashpër do të fitojnë ata që e duan shtetin dhe lirinë e pakthyeshme që ky përfaqëson.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.