MPB: Bajrami është dërguar në burgun e Shutkës
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, sot në mëngjes është paraqitur vetë në pikën kufitare “Bllacë”, ku është arrestuar dhe më pas është dërguar në burgun e Shutkës. “So...
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, sot në mëngjes është paraqitur vetë në pikën kufitare “Bllacë”, ku është arrestuar dhe më pas është dërguar në burgun e Shutkës.
“Sot (09.09.2026), në orën 05:35, në PK Bllacë e Poshtme për hyrje në RMV është paraqitur Përparim Bajrami (33), i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar sipas urdhrit të PTHP Shkup nr. XVII KO nr. 4232/24 të datës 17.12.2024. Personi është privuar nga liria dhe është shoqëruar në Institucionin Ndëshkimor-Përmirësues Burgu Shkup”, njofton MPB.
Bajrami ishte i pakapshëm për organet e ndjekjes për më shumë se një vit dhe ndaj tij ishte shpallur fletarrestim ndërkombëtar. Ai dyshohet për përvetësim dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare në rastin “Lotaria Shtetërore”, ku një nga të dyshuarit kryesorë është edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi.
Përveç Grubit dhe Bajramit, në këtë rast akuzohen edhe Metodija Dimevski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdiu.
Në seancën e parë të gjykimit, të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Bajrami nuk ishte i pranishëm në atë fazë, ndërsa Bashkim Avdiu deklaroi se nuk e kupton aktakuzën dhe kërkoi që ajo t’i dorëzohet me shkrim në gjuhën shqipe.
Sipas aktakuzës, veprimet për të cilat akuzohen të pandehurit janë ndërmarrë gjatë viteve 2023 dhe 2024 dhe me to dyshohet se Lotarisë Shtetërore i është shkaktuar dëm në vlerë prej 596.125.511 denarësh.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.