MPB ngre kallëzim penal ndaj një polici për falsifikim dokumentesh
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka ngritur kallëzim penal ndaj një zyrtari policor me inicialet A.A., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale „falsifikim i dokumenteve“, në bazë të nenit 378 të Kodit Penal. Sipas njoftimit të MPB...
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka ngritur kallëzim penal ndaj një zyrtari policor me inicialet A.A., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale „falsifikim i dokumenteve“, në bazë të nenit 378 të Kodit Penal.
Sipas njoftimit të MPB-së, Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale e ka dorëzuar kallëzimin në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP-NKOK), përkatësisht në departamentin e specializuar për ndjekjen e veprave penale të kryera nga persona me autorizime policore dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve.
Sipas dyshimeve të raportuara, zyrtari policor, i punësuar në Departamentin për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve të Caktuara pranë MPB-së, dyshohet se ka përgatitur dhe përdorur dy vërtetime të falsifikuara për dhurim gjaku, ndonëse më 3 mars dhe 9 korrik 2026 nuk kishte dhuruar gjak në Institutin e Mjekësisë Transfuzive pranë kompleksit të klinikave „Nënë Tereza“.
Bazuar në këto vërtetime, ai kishte përgatitur dy kërkesa për shfrytëzimin e tri ditëve të pushimit me pagesë për secilin rast. Pushimi i parë ishte kërkuar për datat 3, 4 dhe 5 mars 2026, ndërsa i dyti për datat 9, 10 dhe 13 korrik 2026.
MPB-ja njofton se, përveç kallëzimit penal, Departamenti për Kontroll të Brendshëm do të paraqesë edhe propozim për nisjen e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore ndaj zyrtarit policor, për shkelje të rendit dhe disiplinës në punë. Gazeta Flaka
The post MPB ngre kallëzim penal ndaj një polici për falsifikim dokumentesh appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.