Ndalimi 48 orë i Gecit, Prokuroria: Policia u autorizua për zbardhjen e rastit, mbetemi të përkushtuar për mbrojtjen e gazetarëve
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar një komunikatë për media për rastin e kanosjes ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj nga ish-deputeti Gani Geci. Prokuroria tha se me urdhër të Prokurorit kujdestar është ndaluar për 48 orë “një person m...


Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar një komunikatë për media për rastin e kanosjes ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj nga ish-deputeti Gani Geci.
Prokuroria tha se me urdhër të Prokurorit kujdestar është ndaluar për 48 orë “një person me inicialet G.G., për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale ‘’Kanosja’’”.
“Sipas dyshimeve fillestare, i dyshuari G.G., ka kanosur gazetarin L.M., për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij”.
Prokuroria njoftoi se Mehmetaj është intervistuar në cilësinë e të dëmtuarit, ndërsa Geci në atë të dyshuarit.
“Në kuadër të veprimeve hetimore, janë intervistuar i dëmtuari L.M., dhe i dyshuari G.G. me qëllim të grumbullimit dhe mbledhjes së informatave relevante lidhur me rastin. Gjithashtu, Prokurori i çështjes ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe sigurimit të provave relevante për zhvillimin e procedurës së mëtejshme”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë në fund u zotua se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e sigurisë së tyre, si dhe në respektimin e plotë të lirisë së shprehjes.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.