Në emër të UÇK-së kundër UÇK-së: Veteranë, familjarë dëshmorësh e deputetë të sulmuar në Prishtinë

UÇK-ja nuk mund të bëhet pronë e askujt: Veteranë, familjarë dëshmorësh e deputetë të sulmuar në emër të saj. Editorial nga INA Protesta e sotme para Kuvendit të Kosovës, e thirrur në emër të UÇK-së dhe kundër Speciales, përfundoi me tensio...

tetor 5, 2026 - 21:30
Në emër të UÇK-së kundër UÇK-së: Veteranë, familjarë dëshmorësh e deputetë të sulmuar në Prishtinë

UÇK-ja nuk mund të bëhet pronë e askujt: Veteranë, familjarë dëshmorësh e deputetë të sulmuar në emër të saj.

Editorial nga INA

Protesta e sotme para Kuvendit të Kosovës, e thirrur në emër të UÇK-së dhe kundër Speciales, përfundoi me tensione, përplasje fizike dhe sulme ndaj njerëzve që, në një mënyrë apo tjetër, lidhen pikërisht me historinë e UÇK-së.

Sami Kurteshi u përfshi në përplasje me protestuesit, Besnik Bislimi u kap fizikisht dhe u pengua të largohej, ndërsa deputeti Fahrush Rexhepi u kap dhe u kthye me forcë brenda Kuvendit.

Por rasti i Fahrush Rexhepit është veçanërisht domethënës: ai është vëllai i dëshmorit të UÇK-së, Njazi Rexhepi, ndërsa vëllai tjetër i tij, Jonuz Rexhepi, është veteran i luftës.

Dhe pyetja që del nga kjo situatë është e pashmangshme: si mbrohet UÇK-ja duke sulmuar njerëz që janë pjesë e historisë së saj?

Edhe gazetari dhe veterani i UÇK-së, Jeton Sopa, u sulmua fizikisht gjatë protestës. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënoi incidentin, ndërsa Sopa deklaroi se sulmi lidhej me punën dhe publikimet e tij.

Nëse sot dikush pretendon se po mbron UÇK-në, atëherë duhet të përgjigjet: a është UÇK-ja vetëm për ata që mendojnë njësoj politikisht? A mjafton të jesh në PDK që të konsiderohesh “UÇK”, ndërsa një veteran, familjar dëshmori apo kundërshtar politik të sulmohet vetëm pse është në LVV?

Kjo është pikërisht ajo që e bën të diskutueshme mënyrën se si u zhvillua protesta e sotme. UÇK-ja nuk është pronë e PDK-së, LVV-së, LDK-së apo e ndonjë organizate. Ajo është pjesë e historisë së Kosovës dhe nuk mund të përdoret si leje për dhunë ndaj kundërshtarit politik.

Ndërkohë, LDK-ja nuk mori pjesë në votimin e projektligjit për Specialen, ndërsa përplasjet e sotme u përqendruan kryesisht te zyrtarë e deputetë të LVV-së. Kjo ngre një tjetër pyetje politike: pse presioni dhe dhuna u drejtuan pikërisht ndaj tyre?

Dhe e gjithë kjo ndodh në një moment kritik: 6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Nëse nuk arrihet zgjedhja brenda afatit kushtetues, vendi përballet me një tjetër krizë institucionale.

Prandaj, pyetja e sotme nuk është vetëm kush e mbështet apo kush e kundërshton Specialen.

Pyetja është: kujt i konvenon një Kosovë e përçarë, me veteranë që sulmojnë veteranë, me familjarë dëshmorësh që pengohen fizikisht dhe me institucione të rrethuara nga tensioni?

Sepse një gjë është e sigurt: kjo nuk i shërben Kosovës.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.