Në lajmin e Flakës për çmimet, qytetarët “gozhdojnë” ministrin Durmishi: “Ndalu ndonjë ditë në markete dhe shiko çmimet”

Pas lajmit të publikuar nga Flaka mbi qëndrimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës se aktualisht nuk ka nevojë për masa të reja për kufizimin e çmimeve, kanë vërshuar reagimet e qytetarëve në rrjetet sociale. Ministria, e drejtuar nga m...

gusht 9, 2026 - 16:00
Në lajmin e Flakës për çmimet, qytetarët “gozhdojnë” ministrin Durmishi: “Ndalu ndonjë ditë në markete dhe shiko çmimet”

Pas lajmit të publikuar nga Flaka mbi qëndrimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës se aktualisht nuk ka nevojë për masa të reja për kufizimin e çmimeve, kanë vërshuar reagimet e qytetarëve në rrjetet sociale.

Ministria, e drejtuar nga ministri Besar Durmishi, e bazoi qëndrimin në të dhënat zyrtare sipas të cilave inflacioni vjetor në korrik ishte 2.3 për qind, ndërsa çmimet e ushqimeve kanë shënuar ulje për të dytin muaj radhazi.

Por qytetarët që komentuan lajmin e Flakës shprehen se statistikat zyrtare nuk përputhen me atë që ata përjetojnë gjatë blerjeve të përditshme.

Gent Aliu i drejtohet drejtpërdrejt ministrit Durmishi:

“O minister, ndalu ndonjë ditë vetë në markete dhe shiko çmimet. Mos e lë veç shoferin të ta bëjë furnizimin e familjes dhe të paguajë me para pa djersë. Mos shit mjegull se populli në hall është.”

Edhe Sadulla Shemshova reagoi ashpër ndaj deklaratave për stabilitetin e çmimeve:

“More rezil, a jeton në Maqedoni ti a në Zvicër?”

Ndërsa Egzon shkruan:

“Njerëzit mezi mbijetojnë, e ti mundohesh me rrejt.”

Komentet pasqyrojnë një pakënaqësi të dukshme të qytetarëve me perceptimin se çmimet në treg nuk përputhen me pasqyrën optimiste që paraqitet nga institucionet.

Inflacioni nuk e tregon të gjithë realitetin

Edhe pse ulja e inflacionit dhe e çmimeve të ushqimeve për dy muaj radhazi është tregues pozitiv, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se qytetarët e kanë rikuperuar fuqinë blerëse të humbur nga rritjet e mëparshme.

Inflacioni prej 2.3 për qind tregon ritmin e ndryshimit të çmimeve, por nuk nënkupton se çmimet janë kthyer në nivelet e mëparshme. Për qytetarin rëndësi ka sa kushton sot shporta ushqimore, sa janë faturat dhe sa i mbetet nga paga në fund të muajit.

Prandaj, pyetja për ministrin Besar Durmishi nuk është vetëm nëse inflacioni është 2.3 për qind, por nëse qytetari sot mund të blejë më shumë apo më pak me të ardhurat e tij sesa një vit më parë.

Sepse për familjet që përballen çdo ditë me çmimet në markete, stabiliteti në statistika nuk është i njëjtë me lehtësimin në kuletë. Gazeta Flaka

The post Në lajmin e Flakës për çmimet, qytetarët “gozhdojnë” ministrin Durmishi: “Ndalu ndonjë ditë në markete dhe shiko çmimet” appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.