“Ne me bukë, ata me gur”: Kosova i dha qindra mijëra euro Ukrainës – Zelensky nga konaku i Vuçiqit nuk e njeh Kosovën
Kosova i ka dalë në krah Ukrainës që nga ditët e para të pushtimit rus, duke ofruar ndihmë financiare, strehim për gazetarë ukrainas dhe mbështetje të vazhdueshme institucionale. Në anën tjetër, Ukraina vazhdon të mos e njohë pavarësinë e K...


Kosova i ka dalë në krah Ukrainës që nga ditët e para të pushtimit rus, duke ofruar ndihmë financiare, strehim për gazetarë ukrainas dhe mbështetje të vazhdueshme institucionale. Në anën tjetër, Ukraina vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.
Kontrasti u vu sërish në pah gjatë vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Serbi, ku ai foli edhe për qëndrimin e Ukrainës ndaj Kosovës.
Pavarësisht mbështetjes që Prishtina i ka dhënë Kievit gjatë luftës, Zelensky përsëriti se Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Ndërkohë, lista e mbështetjes së Kosovës për Ukrainën është e gjatë.
Më 22 shkurt 2022, vetëm pak ditë para nisjes së pushtimit të plotë rus, objekti i Qeverisë së Kosovës u ndriçua me ngjyrat e flamurit ukrainas, në shenjë solidariteti me Ukrainën.
Më 1 mars 2022, Kosova ndau 150 mijë euro për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas.
Më 23 mars 2022, Qeveria e Kosovës mori vendim për dërgimin e kontingjentit të parë me ndihma humanitare për Ukrainën, në vlerë prej 100 mijë eurosh.
Mbështetja vazhdoi edhe gjatë vitit 2023.
Më 23 shkurt 2023, Komuna e Prishtinës e mbushi sheshin e kryeqytetit me flamuj të Ukrainës, duke shprehur solidaritetin e Kosovës me popullin ukrainas.
Më 22 mars 2023, Qeveria e Kosovës ndau edhe 305 mijë euro për disa gazetarë ukrainas që ishin strehuar në Kosovë.
Ndërsa më 14 gusht 2024, Qeveria vendosi të rrisë numrin e gazetarëve ukrainas dhe familjarëve të tyre të ngushtë të cilëve u ofrohet strehim i përkohshëm në Kosovë.
Në Prishtinë, mbështetja për Ukrainën është shfaqur edhe përmes simbolikës. Flamuri ukrainas është vendosur edhe në Hotel Grand, ndërsa institucionet kosovare kanë vazhduar të shprehin solidaritet me Ukrainën.
Pra, nga ndriçimi i institucioneve dhe flamujt në sheshe, te qindra mijëra euro ndihma dhe strehimi i qytetarëve e gazetarëve ukrainas, Kosova ka qenë e qartë në qëndrimin e saj.
Në anën tjetër, Ukraina ende nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.
Dhe gjatë vizitës në Serbi, Zelensky zgjodhi qëndrimin e njohur të Kievit për Kosovën, pavarësisht mbështetjes që Prishtina i ka dhënë Ukrainës gjatë viteve të fundit.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.