Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut ka shpallur procedurën për shitjen e paketës dominuese të aksioneve të „ALTA Bankës“ SHA Manastir, me qëllim sigurimin e një pronari të ri dhe krijimin e kushteve për vazhdimin e funksionimit të qëndrueshëm të bankës.

Në shitje janë 372.742 aksione të zakonshme, përkatësisht 95,336 për qind e numrit të përgjithshëm të aksioneve, të cilat janë në pronësi të „ALTA Bankës“ SHA Beograd – në falimentim.

Shitja do të realizohet përmes Bursës së Maqedonisë së Veriut, sipas modelit „të gjitha ose asnjë“, që nënkupton se investitorët e interesuar duhet të blejnë të gjithë paketën e aksioneve.

Ankandi i parë publik në bursë është caktuar për 30 nëntor 2026, me çmim fillestar prej 3.777 denarësh për aksion.

Në rast se aksionet nuk shiten në ankandin e parë, ankandet e radhës do të mbahen më 1, 2, 3, 4 dhe 7 dhjetor. Çmimi fillestar në secilin ankand pasues do të ulet për 10 për qind krahasuar me ankandin paraprak.

Investitorët e interesuar duhet që më së voni deri më 19 nëntor të dorëzojnë kërkesë në Bankën Popullore për marrjen e pëlqimit paraprak për fitimin e pjesëmarrjes së kualifikuar në bankë, si dhe deklaratë me shkrim se do të sigurojnë mjetet e nevojshme financiare për blerjen e aksioneve.

Në ankande do të mund të marrin pjesë vetëm personat që i plotësojnë kushtet ligjore.

Nga Banka Popullore bëjnë të ditur se kjo procedurë është pjesë e aktiviteteve për sigurimin e një pronari të ri, vazhdimin e funksionimit të ALTA Bankës dhe mbrojtjen e interesave të depozituesve dhe klientëve të tjerë të saj. Flaka Media

The post Në shitje 95,3 për qind e aksioneve të ALTA Bankës në Manastir, kërkohet pronar i ri appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.