Në UKIM hapet afati i parë për regjistrimin e studentëve të rinj, mbi 8.800 vende të lira
Në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup sot dhe nesër zhvillohet afati i parë për aplikimin e kandidatëve që dëshirojnë të regjistrohen në vitin e parë të studimeve për vitin akademik 2026/2027, njoftina INA. Për studentët e rinj...
Në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup sot dhe nesër zhvillohet afati i parë për aplikimin e kandidatëve që dëshirojnë të regjistrohen në vitin e parë të studimeve për vitin akademik 2026/2027, njoftina INA.
Për studentët e rinj janë në dispozicion gjithsej 8.851 vende në 23 fakultetet e universitetit, ndërsa viti i ri akademik do të nisë më 1 tetor.
Nga numri i përgjithshëm i vendeve, 4.395 janë paraparë për studentët në kuotën shtetërore, përkatësisht studentë të rregullt që financohen nga buxheti i shtetit. Për studentët e rregullt që bashkëfinancojnë studimet janë të parapara 3.621 vende, ndërsa 835 vende janë për studentët me korrespondencë.
Fakulteti i Mjekësisë ka numrin më të madh të vendeve të disponueshme, gjithsej 950. Pas tij renditen Fakulteti Filologjik me 805 vende, FINKI me 800, Fakulteti Ekonomik me 655, Fakulteti Filozofik me 635, Fakulteti i Shkencave Natyrore-Matematikore me 626, ndërsa FEIT dhe Fakulteti i Makinerisë kanë nga 600 vende. Në Fakultetin Juridik janë të lira 555 vende.
Për studentët që regjistrohen në kuotën shtetërore, tarifa për studimet është 200 euro në kundërvlerë denari, ndërsa për studentët në kuotën e bashkëfinancimit dhe studentët me korrespondencë pagesa është 400 euro.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, së fundmi deklaroi se këtë vit kuotat për regjistrim në universitetet e vendit janë reduktuar me rreth 2.000 vende, pas analizës së nevojave të tregut të punës.
Sipas saj, në disa profesione tashmë ekziston tepricë e kuadrove dhe një numër i konsiderueshëm i tyre përballen me papunësi, ndërsa në fusha të tjera kërkesa për kuadër është shumë më e madhe.
Janevska sqaroi se reduktimi i kuotave ka prekur më shumë profilet e administrimit të biznesit, administratës publike, si dhe disa programe në fakultetet Ekonomik dhe Juridik, ndërsa kuotat në profilet teknike, informatikë, makineri dhe ndërtimtari janë ruajtur pothuajse në të njëjtin nivel. Në këto fusha, sipas saj, punësueshmëria arrin deri në 98-99 për qind.
Pas përfundimit të afatit të parë të aplikimit, lista përfundimtare e rangimit do të publikohet më 27 gusht, ndërsa kandidatët e pranuar do të mund të regjistrohen më 3 dhe 4 shtator.
Afati i dytë për aplikim është caktuar për 10 dhe 11 shtator, ndërsa afati i tretë do të mbahet më 23 shtator, vetëm në fakultetet ku do të ketë ende vende të lira.
Kandidatët duhet të regjistrohen paraprakisht në platformën upisi.ukim.mk dhe të plotësojnë aplikimin elektronik përmes sistemit iKnow. Numri i gjeneruar nga sistemi gjatë aplikimit duhet të shënohet edhe në dokumentacionin që dorëzohet gjatë regjistrimit në fakultetin përkatës.
Kushtet për regjistrim, dokumentet e nevojshme, kriteret e përzgjedhjes dhe mënyra e llogaritjes së pikëve nga suksesi në shkollë dhe rezultatet e maturës janë të përcaktuara në Konkursin për regjistrim në UKIM. Në të është përfshirë edhe lista e lëndëve të jashtme dhe të brendshme të maturës që mund të përdoren për aplikim në programet përkatëse studimore./INA/
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.