New York, Times Square – Protestë: “Jo në emrin tim” (VIDEO)

Beqir Sina/INA nga Nju Jorku Në zemër të Nju Jorkut, në Times Square, diaspora shqiptare u mblodh disa orë më parë në një protestë paqësore kundër vendimit të Gjykatës Speciale të Hagës. Me flamuj të Shqipërisë, Kosovës dhe Amerikës, pankar...

shtator 18, 2026 - 19:00
New York, Times Square – Protestë: “Jo në emrin tim” (VIDEO)

Beqir Sina/INA nga Nju Jorku

Në zemër të Nju Jorkut, në Times Square, diaspora shqiptare u mblodh disa orë më parë në një protestë paqësore kundër vendimit të Gjykatës Speciale të Hagës. Me flamuj të Shqipërisë, Kosovës dhe Amerikës, pankarta dhe këngë patriotike, dhjetëra pjesëmarrës dërguan një mesazh të qartë: një popull, një histori, një drejtësi dhe një e ardhme më e ndritshme.

Protesta ishte spontane. Ajo filloi në orën 6 të mbrëmjes, të mërkurën, më 16 shtator 2026, menjëherë pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dhe iu bashkëngjit protestave të zhvilluara dje në Prishtinë e Hagë.

Në sheshin Times Square u shpalos një shtrirje e madhe me fotot e katër ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të shoqëruar vazhdimisht me thirrjet “Liri për çlirimtarët” dhe “Bashkë për drejtësi”.

 

Protestuesit bënë thirrje për drejtësi, ndërsa mbanin pankartat në gjuhën angleze, ku shkruhej: “Protestë paqësore kundër vendimit të Gjykatës”, “Një popull • Një histori • Një drejtësi”, “Liria ka një emër – UÇK”, si dhe “Serbia kriminelë”, duke e treguar me shifrat e viktimave në Kroaci, Bosnjë e Kosovë, në gjuhën angleze.

Një protestues mbante një pankartë ku shkruante: “Ku janë kriminelët serbë të luftës? Të lirë në mes të Beogradit”.

Në Times Square, pjesëmarrësit kënduan këngë legjendare dhe ngritën zërin kundër asaj që e quajtën padrejtësi të madhe.

Një folës na tha se vendimi i Gjykatës së Hagës është një goditje e rëndë për kombin shqiptar. “Ata janë heronj. Na sollën liri, paqe dhe shtet. Sot i gjykojnë si kriminelë lufte. Kjo është e padrejtë”, u shpreh ai.

Protestuesit kërkuan që qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë të bashkohen, të ngrenë ndërgjegjësimin dhe të mos ndalen derisa drejtësia të kthehet në vend.

Një tjetër protestues na tha: “Do ta jepja jetën për Kosovën. Jetën e japim për Kosovën.” “Drejtësi dhe asgjë tjetër veç drejtësisë”, tha ai, ndërsa turma përsëriste thirrjet e fuqishme “UÇK, UÇK”.

Ish-zëdhënësi i UÇK-së për Kanada, ish-gazetari i Zërit të Amerikës, Gjek Gjonlekaj, i cili ka marrë pjesë në çdo protestë në SHBA për çështjen shqiptare, tha se ishte i tronditur dhe nuk do ta besonte kurrë atë që u tha në vendimin e Hagës: “Historia e Kosovës dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë kronologjinë e tyre të pavarur dhe nuk mund të shkruhen ose të përmbysen nga vendimet e Gjykatës së Hagës.”

Protesta e shqiptarëve në Times Square mbrëmë nuk ishte vetëm një reagim ndaj një vendimi gjyqësor, por një thirrje për solidaritet kombëtar.

Diaspora e Nju Jorkut edhe kësaj radhe tregoi se nuk harron sakrificat e luftës çlirimtare dhe se kërkon që historia e UÇK-së të mos rishkruhet. Ajo është shkruar një herë në vitin 1999 me çlirimin e Kosovës dhe në vitin 2008 me pavarësinë e Kosovës, e njohur nga 115 shtete, përfshirë shtetet më të fuqishme të botës: SHBA-në, Anglinë, Gjermaninë, Francën, Italinë, Japoninë e Argjentinën.

Në fund, mesazhi mbeti i njëjtë me atë të pankartave: Bashkë për lirinë e çlirimtarëve, bashkë për një të ardhme më të ndritshme të Kosovës.

Nga Times Square, zëri i shqiptarëve të Amerikës u dëgjua qartë për heronjtë, për drejtësinë dhe për Kosovën.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.