Nga autor i fletushkave për BDI-në, drejtor i “Lotarisë”, deri te i akuzuari i parë në “Shutkë”
Kush është Perparim Bajrami, i kërkuari me fletarrestim ndërkombëtar, i cili sot u paraqit vetë në Bllacë Bajrami në krye të “Lotarisë Shtetërore” erdhi në moshën vetëm 29-vjeçare. Në detyrën e drejtorit të përgjithshëm ishte nga janari i v...
Kush është Perparim Bajrami, i kërkuari me fletarrestim ndërkombëtar, i cili sot u paraqit vetë në Bllacë
Bajrami në krye të “Lotarisë Shtetërore” erdhi në moshën vetëm 29-vjeçare. Në detyrën e drejtorit të përgjithshëm ishte nga janari i vitit 2022 deri në gusht të vitit 2024, ndërsa më herët, në vitin 2020, ishte emëruar edhe anëtar dhe nënkryetar i Bordit Drejtues, përkatësisht zëvendësdrejtor i përgjithshëm.
Perparim Bajrami, ish-drejtori i “Lotarisë Shtetërore”, i cili për gati dy vjet ishte i paarritshëm për organet maqedonase të ndjekjes, sot u paraqit vetë në pikën kufitare “Bllacë e Poshtme”. Në orën 05:35 ai u paraqit për të hyrë në Maqedoni, pas së cilës u privua nga liria dhe u dërgua në burgun “Shutkë”. Ndaj tij ishte shpallur fletarrestim ndërkombëtar që në dhjetor të vitit 2024.
Me kthimin e Bajramit në vend, mbyllet një nga episodet më interesante të rastit “Lotaria Shtetërore” – një lëndë në të cilën ish-drejtori i kompanisë shtetërore është i akuzuari i parë, ndërsa ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi është i akuzuari i dytë. Prokuroria i akuzon tetë të pandehurit për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, në lidhje me procedurat për futjen e lojërave elektronike të fatit dhe prokurimin e terminaleve videolotarie.
Nga karrigia e drejtorit te fletarrestimi
Bajrami në krye të “Lotarisë Shtetërore” erdhi në moshën vetëm 29-vjeçare. Në detyrën e drejtorit të përgjithshëm ishte nga janari i vitit 2022 deri në gusht të vitit 2024, ndërsa më herët, në vitin 2020, ishte emëruar edhe anëtar dhe nënkryetar i Bordit Drejtues, përkatësisht zëvendësdrejtor i përgjithshëm.
Emri i tij në opinion, megjithatë, filloi të lidhej më seriozisht me “Lotarinë” në vitin 2023, kur mediat opozitare dhe ato hulumtuese ngritën pyetje lidhur me mënyrën se si kompania shtetërore lidh kontrata për qira dhe për njerëzit përreth drejtimit të saj.
Vëmendje të veçantë tërhoqi lidhja e tij me ish-zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi. Bajrami në biografinë e tij kishte deklaruar se kishte qenë këshilltar politik në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, në periudhën kur ministrinë e drejtonte Grubi. Grubi, nga ana tjetër, mohoi se Bajrami kishte qenë pjesë e kabinetit të tij.
Por lidhjet politike nuk përfundojnë këtu. Bajrami, që në vitin 2018, në moshën 24-vjeçare, ishte bërë këshilltar politik në Kuvend, ku punonte edhe motra e tij, Vjollca Bajrami – si shefe e kabinetit të atëhershëm të kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi.
Ky është një detaj që tregon shtrirjen e rrjetit të tij politik-partiak në periudhën kur BDI-ja ishte një nga shtyllat e pushtetit. Vetë fakti që motra e tij punonte në kabinetin e Xhaferit nuk është dëshmi për ndonjë paligjshmëri, por është pjesë e rëndësishme e biografisë së një personi që në të tridhjetat arriti në pozitën e drejtorit të një prej kompanive më të rëndësishme shtetërore.
“Lotaria” bëhet çështje penale
Kthesa kyçe erdhi në dhjetor të vitit 2024. Prokuroria hapi hetim për dyshimet se Bajrami, së bashku me Grubin, si persona përgjegjës në “Lotarinë Shtetërore”, kishin ndërmarrë veprime me të cilat kompanisë i ishte shkaktuar dëm prej disa milionë eurosh. Në hetimin e atëhershëm flitej për rreth 8.2 milionë euro, të lidhura me prokurimin e terminaleve videolotarie.
Sipas pretendimeve të atëhershme të Prokurorisë, Bajrami dhe Grubi dyshoheshin si bashkëkryerës të veprës penale “përvetësim në shërbim”, ndërsa ndaj personave të tjerë zhvillohej procedurë për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Më 16 dhjetor 2024, policia dhe prokuroria njoftuan për aksionin, ndërsa Bajrami dhe Grubi tashmë nuk ishin të kapshëm për organet e ndjekjes. Vetëm dy ditë më vonë, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se ndaj të dyve ishte shpallur fletarrestim ndërkombëtar.
Bajrami u largua nga vendi në atë periudhë, ndërsa avokati i tij më vonë pretendoi se ai nuk ishte fshehur, por se për një periudhë më të gjatë kishte jetuar në Kosovë. Megjithatë, në dokumentet zyrtare policore ai trajtohej si i paarritshëm për organet e ndjekjes dhe ndaj tij ishte shpallur fletarrestim ndërkombëtar.
Në fokus të hetimit – prokurimi i videoteleterminaleve
Në gusht të këtij viti, rasti mori një formë të re juridike. Prokuroria Themelore Publike Shkup ngriti aktakuzë ndaj tetë personave – Bajramit, Grubit, ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë Metodija Dimevskit dhe pesë ish-anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të “Lotarisë Shtetërore”.
Të gjithë akuzohen si bashkëkryerës për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.