Nga deponi në oazë të gjelbër: Shkupi bëhet me një park gjigant prej 50 mijë metrash katrorë!

Komuna e Butelit në Shkup ka fituar një park të ri modern me sipërfaqe prej 50.000 metrash katrorë, në një hapësirë që për vite të tëra kishte shërbyer si deponi dhe ku më parë ishte paralajmëruar ndërtimi i ndërtesave shumëkatëshe. Kryetar...

tetor 30, 2026 - 16:01
Nga deponi në oazë të gjelbër: Shkupi bëhet me një park gjigant prej 50 mijë metrash katrorë!

Komuna e Butelit në Shkup ka fituar një park të ri modern me sipërfaqe prej 50.000 metrash katrorë, në një hapësirë që për vite të tëra kishte shërbyer si deponi dhe ku më parë ishte paralajmëruar ndërtimi i ndërtesave shumëkatëshe.

Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, njoftoi se hapësira e dikurshme e lënë pas dore është shndërruar në një zonë të gjelbër për rekreacion dhe aktivitete të qytetarëve.

“Aty ku dikur premtoheshin ndërtesa dhe betonizim, sot kemi krijuar një park modern dhe funksional. Së bashku me Orce Gjorgjievskin premtuam se kjo hapësirë nuk do të mbetej e harruar”, deklaroi Kostovski.

Parku i ri, i quajtur “Oaza e Butelit”, përfshin sipërfaqe të gjelbra, shesh publik, kënde lojërash për fëmijë, shtigje për këmbësorë dhe zona fitnesi, të destinuara për të gjitha grupmoshat.

Sipas Kostovskit, investimi synon përmirësimin e cilësisë së jetesës, uljen e ndotjes dhe krijimin e më shumë hapësirave publike për qytetarët.

“Buteli fiton një zemër të re të gjelbër, ndërsa Shkupi edhe një vend për t’u krenuar”, përfundoi ai.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.