Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në kuadër të vizitës zyrtare në Turqi, zhvilloi një takim me Şahin Biba, me prejardhje nga Prizreni, i cili sot drejton Bursën. Në fokus të takimit ishte angazhimi i personaliteteve shqiptare në Turqi dhe shfrytëzimi i përvojës së Bursës për restaurimin dhe revitalizimin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për sigurimin e ekspertizës profesionale dhe mbështetjes financiare për realizimin e projektit. Mexhiti theksoi se lidhjet e shqiptarëve me vendin e prejardhjes përfaqësojnë një potencial të rëndësishëm për ndërtimin e partneriteteve konkrete, duke i shndërruar ato në ura bashkëpunimi për ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë historike e kulturore.

Në këtë drejtim, është paraparë krijimi i një këshilli për lobim dhe mbështetje të projektit, ku do të përfshihen Şahin Biba, zëvendësministri i Kulturës, Rexhep Alltepe, Bajram Vardar dhe personalitete të tjera publike me prejardhje nga Ballkani. Ky angazhim synon zgjerimin e mbështetjes institucionale dhe sigurimin e partnerëve të rinj për realizimin e një projekti që do të ndërthurë ruajtjen e autenticitetit historik të Çarshisë me zhvillimin e saj ekonomik dhe turistik.(INA)

Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.