Nga “mono-manifestimi” te përplasja politike: BDI kërkon përgjigje për mungesën e shqiptarëve
Mbi 30 artistë në skenën qendrore në Shkup, por asnjë shqiptar. Asnjë përfaqësues i komunitetit shqiptar në programin kryesor të festimit të 35-vjetorit të pavarësisë. Ajo që fillimisht u raportua si një mungesë në programin festiv tashmë ë...
Mbi 30 artistë në skenën qendrore në Shkup, por asnjë shqiptar. Asnjë përfaqësues i komunitetit shqiptar në programin kryesor të festimit të 35-vjetorit të pavarësisë. Ajo që fillimisht u raportua si një mungesë në programin festiv tashmë është shndërruar në një debat të gjerë politik.
Flaka raportoi se në Shkup u organizua spektakli qendror muzikor-skenik për 35-vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, me dhjetëra këngëtarë dhe artistë, skenografi të madhe dhe produksion të financuar nga buxheti shtetëror.
Por ajo që ra më shumë në sy ishte mungesa e plotë e përfaqësimit shqiptar në skenën qendrore.
Reagimi i parë erdhi nga gazetari Urim Hasipi, i cili e përshkroi situatën me fjalët:
“Festohet edhe me paratë tona, por pa neve.”
Më pas, debati u zgjerua me reagimin e analistit Sefer Selimi, i cili e cilësoi këtë si dëshmi se, edhe 35 vjet pas pavarësisë, shteti ende nuk është çliruar nga mentaliteti i vjetër.
Selimi argumentoi se gjuha shqipe ishte anashkaluar në organizimet festive dhe se shqiptarët mungonin jo vetëm në skenë, por edhe në narrativën zyrtare të festimit.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe Aleanca për Shqiptarët, duke e cilësuar mungesën e shqiptarëve në koncert si “përjashtim” dhe jo lëshim.
Por polemika nuk u ndal te koncerti.
BDI: Shqiptarët po përjashtohen gjithkund
Në debatin tashmë të zgjeruar është përfshirë edhe BDI, e cila e ka zhvendosur vëmendjen nga manifestimi qendror te përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet, kulturën dhe sportin.
Në reagimin e saj, BDI pretendon se shqiptarët po përjashtohen në mënyrë të përsëritur, ndërsa përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri heshtin.
“Nga ceremonitë shtetërore, te sporti, kultura dhe institucionet – shqiptarët po përjashtohen gjithkund, ndërsa VLEN hesht”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia e lidh këtë situatë me 35-vjetorin e pavarësisë, duke argumentuar se gjuha shqipe është anashkaluar në aktivitetet shtetërore.
“Asnjë fjalë. Asnjë shkronjë. Asnjë shenjë. Sikur shqiptarët të mos ekzistojnë në këtë shtet.”
Edhe çmimet “8 Shtatori” në shënjestër
BDI e zgjeron kritikën edhe te shpërblimet shtetërore “8 Shtatori”, duke pretenduar se edhe këtë vit nuk ka pasur asnjë shqiptar në mesin e të vlerësuarve.
“0 shqiptarë. Asnjë sportist, asnjë trajner, asnjë emër shqiptar në mesin e të vlerësuarve”, thuhet në reagim.
Sipas BDI-së, kjo krijon një kontrast mes kontributit të shqiptarëve dhe mënyrës se si shteti i trajton ata kur vjen momenti i vlerësimit.
“Për këtë qeveri, shqiptari është i mirë vetëm kur duhet ta përfaqësojë shtetin dhe të sjellë medalje, por bëhet i padukshëm kur vjen momenti që shteti ta njohë dhe ta shpërblejë suksesin e tij.”
BDI e konsideron këtë jo si një seri rastësish, por si rezultat të një politike.
“Kjo nuk është rastësi. Është politikë.”
Goditja ndaj VLEN-it
Në qendër të reagimit të BDI-së është VLEN-i, përfaqësuesit shqiptarë të të cilit ndodhen në pushtet.
BDI ngre një sërë pyetjesh:
“Ku është VLEN-i? Ku janë zëvendëskryeministrat? Ku janë ministrat? Ku janë premtimet për ‘përfaqësim të drejtë dhe adekuat’?”
Sipas BDI-së, heshtja e përfaqësuesve shqiptarë në Qeveri është veçanërisht problematike pikërisht sepse ata kanë ardhur në pushtet duke premtuar barazi dhe përfaqësim.
“Kur shqiptarët përjashtohen, VLEN hesht. Kur shqiptarët diskriminohen, VLEN hesht. Kur kontributi i shqiptarëve fshihet, VLEN përsëri hesht.”
Në përfundim, BDI e kthen akuzën në një mesazh politik ndaj partnerëve shqiptarë të Qeverisë:
“Shqiptarët nuk janë të padukshëm. Të padukshëm po bëhen vetëm ata që po i përfaqësojnë – VLEN.”
Kështu, ajo që nisi me një koncert shtetëror pa artistë shqiptarë tashmë është shndërruar në një përplasje më të gjerë politike për gjuhën, përfaqësimin, kulturën dhe mënyrën se si shqiptarët trajtohen në institucionet e shtetit.
Dhe pyetja që mbetet në qendër të debatit është gjithnjë e njëjtë:
Në një shtet që e quan veten multietnik, sa “shtetërore” mund të quhet një festë ku një pjesë e madhe e qytetarëve nuk gjen veten në skenë, në gjuhë apo në simbolikën e manifestimit? Gazeta Flaka
The post Nga “mono-manifestimi” te përplasja politike: BDI kërkon përgjigje për mungesën e shqiptarëve appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.