Prof. dr. Nikolla Jankullovski është zgjedhur kryetar i ri i Odës së Mjekëve të Maqedonisë, ndërsa dr. Idriz Orana është zgjedhur zëvendëskryetar, njoftoi organizata që përfaqëson të gjithë mjekët e vendit.
Jankullovski vjen në këtë detyrë në vend të kryetares së deritanishme, dr. Kalina Grivçeva-Stardellova.
Në mbledhjen ku u bë zgjedhja e udhëheqjes së re, u emëruan edhe tre nënkryetarë: dr. Biljana Petkovska Ogjanova për shëndetësinë primare, dr. Lençe Neloska për shëndetësinë sekondare dhe dr. Risto Todorov për shëndetësinë terciare.
Pas zgjedhjes, Jankullovski tha se marrja e drejtimit të Odës së Mjekëve përbën nder, por edhe përgjegjësi të madhe.
Ai theksoi se prioritetet e tij do të jenë mbrojtja dhe avancimi i të drejtave dhe statusit të mjekëve, rritja e transparencës në punën e Odës dhe digjitalizimi i proceseve.
Jankullovski paralajmëroi gjithashtu angazhim më aktiv të Odës në proceset e ndryshimeve ligjore në fushën e shëndetësisë, si dhe krijimin e kushteve më të mira për punën e mjekëve dhe trajtimin e pacientëve.
Prof. dr. Nikolla Jankullovski është subspecialist i njohur i kirurgjisë abdominale dhe profesor i rregullt shumëvjeçar në Katedrën e Kirurgjisë pranë Fakultetit të Mjekësisë në Shkup.
Gjatë karrierës së tij ka ushtruar funksionin e drejtorit të Klinikës së Kirurgjisë Digjestive, ka qenë dy mandate dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Shkup dhe dy mandate rektor i Universitetit „Shën Kirili dhe Metodi“ në Shkup. Flaka
The post Nikolla Jankullovski zgjidhet kryetar i Odës së Mjekëve, Idriz Orana nënkryetar appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




