Nikolloski nuk pajtohet me protestat e kamionistët

Maqedonia ngadalë, por me siguri po arrin marrëveshje dypalëshe me vendet e zonës Shengen për tejkalimin e problemit të transportuesve, deklaroi ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, pasi ditët e fundit kamionistët kërkuan hapur ng...

gusht 14, 2026 - 17:00
Nikolloski nuk pajtohet me protestat e kamionistët

Maqedonia ngadalë, por me siguri po arrin marrëveshje dypalëshe me vendet e zonës Shengen për tejkalimin e problemit të transportuesve, deklaroi ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, pasi ditët e fundit kamionistët kërkuan hapur nga vendet e Bashkimit Evropian që qëndrimi i tyre të llogaritet në orë dhe minuta, dhe jo në ditë. Kjo është çështje që duhet ta rregullojë Bashkimi Evropian dhe ne tashmë kemi lidhur disa marrëveshje me vendet pjesë të zonës Shengen, tha Nikolloski.

“Tashmë kemi marrëveshje të tilla me Kroacinë, me Zvicrën dhe me Rumaninë, intensivisht po punojmë me Austrinë, Hungarinë dhe Gjermaninë dhe në këtë mënyrë do të mbulohen vendet ku transportuesit tanë më shpesh eksportojnë ose nëpër të cilat tranzitojnë më shpesh. Pres që gjatë muajit tetor të fillojmë bisedimet me Slloveninë dhe në këtë mënyrë e gjithë rruga do të jetë e mbuluar. Kjo është mbështetja jonë e plotë, ndërsa për gjithçka tjetër Bashkimi Evropian duhet të gjejë zgjidhje”, tha Nikolloski.

Sa i përket paralajmërimeve se transportuesit nga rajoni do t’i bllokojnë sërish pikat kufitare nëse nuk u zgjidhet problemi, Nikolloski thotë se Maqedonia ka një qasje individuale për zgjidhjen e problemit, ndërsa protestat e paralajmëruara janë nën presionin e një vendi fqinj. Mendoj se ekziston një zgjidhje më konstruktive, siç është arritja e marrëveshjeve bilaterale dhe mendoj se protestat nuk janë zgjidhje, u shpreh ai.

“Ajo që kam marrë si përshtypje është se një vend fqinj po ushtron presion për këtë çështje, para së gjithash për arsye politike. Le t’i zgjidhin problemet e tyre, kjo është një qasje individuale që kemi ne dhe jo kolektive. Ne jemi një shtet i veçantë, sovran dhe i pavarur dhe do t’i zgjidhim problemet ashtu siç ne mendojmë se është më mirë, ndërsa shtetet e tjera le t’i zgjidhin ashtu siç mendojnë se është më mirë. Nuk duhet të biem në një kurth të kolektivizimit të problemeve. E dini se për një kohë të gjatë ka pasur përpjekje që i gjithë rajoni të paraqitet si një i vetëm, si Ballkani Perëndimor, unë nuk pajtohem me këtë”, u shpreh Nikolloski.

Ditët e fundit, grupi punues i transportuesve nga rajoni, ku përveç Maqedonisë janë edhe Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, mbajtën një takim në të cilin u dakorduan që deri më 1 shtator ta presin Bashkimin Evropian të sjellë një zgjidhje për problemin e tyre dhe kërkojnë që qëndrimi i tyre, gjatë kryerjes së obligimeve të transportit, të llogaritet sipas orëve dhe jo sipas ditëve. Ata thanë se nëse kjo nuk arrihet, sërish do të fillojnë protesta me bllokada të pikave kufitare.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.