Nis seanca gjyqësore për Jozefin Markun dhe shoferin e tij, prokuroria kërkon “arrest me burg”
Ka nisur në gjykatë seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj këngëtarit Jozefin Marku dhe shoferit të tij, Kristjan Nikolli, të arrestuar pas dhunës ndaj Eduard Kuçit. Prokuroria ka kërkuar masën “arrest me burg” për të dy të arrestuari...


Ka nisur në gjykatë seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj këngëtarit Jozefin Marku dhe shoferit të tij, Kristjan Nikolli, të arrestuar pas dhunës ndaj Eduard Kuçit. Prokuroria ka kërkuar masën “arrest me burg” për të dy të arrestuarit.
Seanca pritet të përcaktojë masën e sigurisë ndaj Markut dhe Nikollit, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë për të zbardhur rrethanat dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.
Në kuadër të hetimit, Prokuroria po verifikon edhe përdorimin e simboleve të Policisë së Shtetit, ndërsa është kërkuar një akt-ekspertim për të përcaktuar nëse Eduard Kuçi ka pësuar dëmtime trupore si pasojë e sulmit, raporton Top Channel.
Ndërkohë, Kuçi është shpallur në kërkim policor për akuzën e moskallëzimit të krimit. Sipas hetimeve, ai nuk e ka denoncuar ngjarjen në polici, duke e përshkruar fillimisht si një konflikt të thjeshtë të shkaktuar nga bllokimi i rrugës me automjet.
Më pas, gjatë verifikimeve të kryera nga policia, rasti është trajtuar si ngjarje penale dhe ndaj Kuçit është ngritur akuza për moskallëzim krimi.
Mbrojtja e Jozefin Markut pritet të fokusohet, ndër të tjera, edhe te fakti që personi i sulmuar nuk ka bërë kallëzim për ngjarjen. Gjykata do të vendosë në vijim për masën e sigurisë ndaj dy të arrestuarve.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.