Një mjek për 691 të burgosur, ndërsa standardi botëror është 300!

Shërbimet shëndetësore në burgjet e Maqedonisë në nivel të ulët Burgjet në Maqedoninë e Veriut janë të mbipopulluara, ndërsa personeli mjekësor që punon në to është i pamjaftueshëm dhe i mbingarkuar. Këto janë konstatimet e Avokatit të Popu...

tetor 27, 2026 - 16:01
Një mjek për 691 të burgosur, ndërsa standardi botëror është 300!

Shërbimet shëndetësore në burgjet e Maqedonisë në nivel të ulët
Burgjet në Maqedoninë e Veriut janë të mbipopulluara, ndërsa personeli mjekësor që punon në to është i pamjaftueshëm dhe i mbingarkuar. Këto janë konstatimet e Avokatit të Popullit pas kontrolleve në 11 institucione ndëshkuese-korrektuese.
Për shkak të mungesës së personelit mjekësor, janë evidentuar pritje të gjata për kontrolle specialistike, ndërprerje të terapisë dhe kujdes i dobët shëndetësor parandalues për të burgosurit.
Sipas gjetjeve, mbipopullimi është konstatuar në 7 nga 11 institucionet e kontrolluara. Në po aq institucione ka personel të përhershëm shëndetësor, ndërsa në katër të tjerat kujdesi mjekësor ofrohet në mënyrë periodike ose me thirrje.
Asnjë nga institucionet e vizituara nuk ka personel shëndetësor të pranishëm 24 orë në ditë.
Situata më e rëndë paraqitet në burgun e Idrizovës, ku, sipas raportit, një mjek kujdeset për rreth 691 të burgosur, ndërsa një infermier ose teknik mjekësor për rreth 461 persona. Kjo e tejkalon standardin e përmendur në raport, sipas të cilit një mjek duhet të kujdeset për 300 persona.
Avokati i Popullit vlerëson se, megjithëse e drejta për kujdes shëndetësor është e garantuar formalisht, qasja praktike në shërbime dhe vazhdimësia e trajtimit mbeten të pabarabarta./plusinfo


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.