“Non grata” për Belën dhe Alimin, vijojnë reagimet! Lamallari: Nuk lejojmë agjenda që cenojnë sigurinë

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, bëri të ditur se vendimi për shpalljen persona të padëshiruar për një periudhë 10-vjeçare të dy shtetasve nga Maqedonia e Veriut, Valon Belës dhe Bekir Halimit, është marrë më 17 korrik,...

gusht 5, 2026 - 16:30
“Non grata” për Belën dhe Alimin, vijojnë reagimet! Lamallari: Nuk lejojmë agjenda që cenojnë sigurinë

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, bëri të ditur se vendimi për shpalljen persona të padëshiruar për një periudhë 10-vjeçare të dy shtetasve nga Maqedonia e Veriut, Valon Belës dhe Bekir Halimit, është marrë më 17 korrik, në funksion të mbrojtjes së interesit kombëtar.

Në një intervistë për emisionin “Tirana Live” në ABC News, Lamallari tha se Shqipëria nuk do të lejojë asnjë agjendë apo nxitje dhune që cenon sigurinë e vendit, duke shtuar se Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Vendimi, sipas tij, është marrë pas informacioneve të siguruara dhe konsultimeve me agjencitë e sigurisë.

“Sa më shumë i afrohemi familjes europiane ne duhet të sillemi si vend anëtar duke marrë çdo masë të nevojshme jo vetëm për të garantuar sigurinë kombëtare por edhe për të mos lejuar asnjë lloj interefence të axhendave të cilat janë të dëmshme jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin dhe më gjërë”, theksoi Besfort Lamallari, ministri i Brendshëm i Shqipërisë .

Ndërkohë, analisti Valon Bela ka reaguar përmes një videoje të publikuar në Facebook, ku tha se ka marrë 22 mirënjohje nga ushtria e NATO-s dhe pretendoi se nuk ka një shqiptar tjetër që i zotëron ato. Ai gjithashtu kritikoi mënyrën se si është marrë vendimi për shpalljen e tij person i padëshiruar.

“Vendimin kur e ka marrë paska qenë prezent edhe njësia antiterror, paramendoni antiterror i kujt çfarë porosi merr ai antiterorr, nga Vuçiq, njësia elitë e cila lufton terrorizmin atje ndërkombëtar është njësia speciale amerikane për të cilën unë kam 22 mirënjohje, përveç atyre kam edhe rekomandime nga njësia elitë për lufimin e terrorizmit”, theksoi Valon Bela, analist.

Edhe Bekir Alimi, i cili është përfshirë në të njëjtin vendim, e ka cilësuar shpalljen e tij person i padëshiruar si një padrejtësi.

“Është mërzi për secilin t’i bëhet padrejtësi, sidomos atyre personave që gjithë jetën ia kanë kushtuar ngritjes së vetëdijes fetare tek populli jonë dhe kontributit patriotik për zhvillimin tonë kombëtar. Mirëpo kështu e ka jeta ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi dhe të luftojmë padrejtësitë kudo që bëhen”, tha Bekir Alimi.

Rasti ka hapur debat, pasi nga njëra anë autoritetet shqiptare e arsyetojnë vendimin me mbrojtjen e sigurisë kombëtare, ndërsa nga ana tjetër Valon Bela dhe Bekir Halimi insistojnë se masa ndaj tyre është e padrejtë dhe do ta kundërshtojnë atë.

 

 

 


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.