“Nuk kam një diagnozë, as mjekët nuk po më bien në fije”, Granit Cana rrëfen përsëri vuajtjet shëndetësore që po përjeton
Granit Cana ka rrëfyer për herë të parë në detaje për gjendjen e tij të rënduar shëndetësore, me të cilën, sipas tij, po përballet prej rreth shtatë vitesh dhe për të cilën ende nuk ka marrë një diagnozë përfundimtare. Në një intervistë për...
Granit Cana ka rrëfyer për herë të parë në detaje për gjendjen e tij të rënduar shëndetësore, me të cilën, sipas tij, po përballet prej rreth shtatë vitesh dhe për të cilën ende nuk ka marrë një diagnozë përfundimtare.
Në një intervistë për emisionin “Shqipëria Live”, Cana tregoi se gjithçka kishte nisur gradualisht, fillimisht me episode të shkurtra të shikimit të turbullt, marramendjes dhe vështirësive të tjera, të cilat në fillim zgjasnin vetëm disa minuta dhe më pas largoheshin. Situata, sipas tij, u përkeqësua me kalimin e kohës.
Ai kujtoi edhe periudhën e pjesëmarrjes në “Big Brother VIP”, kur banorët kishin vërejtur disa herë se diçka nuk ishte në rregull me sytë e tij. Megjithatë, Cana tha se nuk kishte mundur ta shpjegonte plotësisht gjendjen e tij, pasi çdo shqetësim shëndetësor që shfaqej brenda shtëpisë mund të interpretohej si pjesë e lojës. Pas daljes nga formati, gjendja e tij ishte përkeqësuar ndjeshëm, deri në atë pikë sa kishte pasur vështirësi edhe në artikulimin e fjalëve dhe në përqendrim.
Granit Cana (Foto: Top Channel/YouTube)
Pikërisht atëherë nisën edhe kontrollet e shumta mjekësore. Fillimisht, Cana dhe familjarët e tij dyshuan se problemi mund të lidhej me sytë. Ai iu nënshtrua disa ekzaminimeve te oftalmologët në Gjermani, por mjekët konstatuan se sytë ishin të shëndetshëm. Më pas iu rekomanduan rezonanca magnetike dhe ekzaminime të tjera për të përjashtuar mundësinë e ndonjë tumori apo problemi tjetër neurologjik.
“Shkuam te dy-tre neurologë, besa edhe te neurokirurgë. Kemi bërë kontrolle për qarkullimin e gjakut në sy, kemi kontrolluar veshët, kemi bërë analiza gjaku dhe disa herë është përsëritur rezonanca magnetike. Por nuk del asgjë”, rrëfeu ai.
“Kam pasur momente shumë të vështira. Kam qenë ndoshta dy vjet shumë në depresion. Jam mbyllur në dhomë, kam qarë para fëmijëve, kam përjetuar shumë stres. Ka pasur momente, besomëni, edhe më të këqija, por kur kam menduar për familjen…”, u shpreh ish-banori i Big Brother VIP Albania 1.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.
